Fakiç tregon “sekretet” e merkatos së Skënderbeut: Zeka, rruga për t’u ndjekur

Fakiç tregon “sekretet” e merkatos së Skënderbeut: Zeka, rruga për t’u ndjekur

384
SHPËRNDAJE

Haris Fakiç është një nga njerëzit më të dashur të presidentit të Skënderbeut, Ardjan Takajt, pasi bën një punë të mirë në lidhje me transferimet e lojtarëve, duke sjellë të ardhura të mëdha dhe lojtarë me kualitet. Në një intervistë për “Sport Ekspres”, Fakiç tregon gjithçka ndodhi në merkaton e dimrit, afrimet dhe dëshirat, si dhe për atë që parashikohet të ndodhë në verë.

– Haris, ju jeni marrë direkt me merkaton dimërore, me transferimet që u bënë te kampionët. Sa e vështirë ishte?
– Realisht, kur pamë që pas dy fazave të para Skënderbeut i mungonin pikët, u angazhuam të gjithë për të bërë më të mirën në merkaton dimërore. Skuadra synon vetëm titullin dhe sigurisht duhej cilësi, që u munduam ta sillnim të gjithë bashkërisht. Mendoj se ishte një merkato e suksesshme, por gjithçka e vërteton fusha. Si në çdo merkato, edhe këtë herë mendoj se dëshirat më të madhe tonat u plotësuan. E them me plot gojë se kemi kualitet të shpallemi kampionë.

Afruat belgun Ogunxhimi dhe rumunin Predesku si dy blerje të bujshme. Kishte ndonjë lojtar, të cilin nuk arritët ta merrnit?
– Mendoj se emra që ju përmendët, janë futbollistë me kualitet të lartë. Kishim dëshira të tjera, si unë, dhe presidenti, por nuk u arritën. Gjithsesi, jap notë pozitive në këtë merkato dimërore.

– Ju ishit në bisedime me një sulmues të Rijekës. Përse nuk u arrit marrëveshja?
– Lojtari Haris Hanxhiç ishte një dëshirë e klubit, por zgjidhja e kontratës midis tij dhe Rijekës u bë me vonesë për ne. Ia plotësuam të gjitha kushtet atij lojtari dhe nuk kishte asnjë pengesë prej nesh.

Agim Zeka kaloi te Lila në Francë për 300 mijë euro. Në Shqipëri thonë se, nëse do të qëndronte më shumë te Skënderbeu, mund të shitej më shtrenjtë
– Agim Zeka është nga futbollistët, i cili ka hapur rrugën për të tjerët, që duan të vazhdojnë në këtë rrugë. Kjo është politika e klubit tonë dhe po vërtetohet se është e dobishme. Në futboll gjithçka mund të jetë edhe çështje fati, pasi nuk mund të planifikosh se kur do të bëhet një transferim. Varet edhe nga pala tjetër. Një lojtar, nëse qëndron më shumë te Skënderbeu, ka shanse më të madha që çmimi i tij të rritet. Kjo ishte përcaktuese edhe për Agim Zekën. Ai qëndroi pak dhe shikoni me çfarë shifre u shit. 300 mijë euro nuk janë pak, por, nëse do të kishte qëndruar më gjatë, do të shitej më shtrenjtë.

Pse Xhejms Adeniji nuk u shit në Korenë e Jugut?
– Xhejms nuk u largua, sepse faktikisht nuk ramë dakord me kushtet, pra me një çmim që përcaktohet nga ana e presidentit. E dinë shumë mirë të gjithë se për një futbollist, çmimi që ne paguajmë është kosto e klubit. Jemi të bindur që, nëse nuk kaloi në Korenë e Jugut në dimër, në verë është më mirë, si për ne, edhe për klubin, ku do të shitet ky lojtar.

– Sa talente ka aktualisht Skënderbeu. Mund të na jepni detaje?
– Skënderbeu ka shumë talente brenda grupit, por edhe në skuadra e tjera, me të cilat bashkëpunojmë. Aktivizimi i një futbollisti premton cilësi dhe ne po përpiqemi t’i aktivizojmë këta elementë. Kemi projekte, kemi shumë, por t’ia lemë më mirë kohës. Mos harroni që kemi të huazuar një talent të madh në Kosovë, Oto Xhon.

– Cili nga këta të rinj jua ka bërë përshtypje personalisht?
– Mendimi im është se ka shumë talente. Vlen të përmend Xhefri Çarlsin, që e kemi huazuar tek ekipi i Besës. Do ta shikoni se çfarë është në një gjendje të bëjë ky lojtar në të ardhmen, por i duhen minuta, prandaj e huazuam.

– Për Latifin presidenti tha se do të thyejë rekordin e shitjeve. Ju çfarë do të thoshit?
– Çështja e Latifit është e hapur. Nuk mund të them një çmim të saktë, pasi varet nga numri i ofertave që na vijnë, por edhe nga ecuria e ekipit, këtë mos e harroni. Liridoni është një futbollist me çmim të lartë dhe ju garantoj se kështu do të vazhdojë. Në fund të kampionatit me siguri që kartoni i tij do të ketë një çmim rekord.

Cilët emra pretendon klubi të shesë, kur të përfundojë kampionati. Cili lojtar po ndiqet me vëmendje?
– Skënderbeu ka shumë futbollistë dhe secili mund të shitet pa frikë. Mendoj se do të jetë sërish viti ynë në kampionat dhe në Europë, pastaj do të mendojmë për transferimet.

– Haris, si po ecën ky Skënderbe, pavarësisht se kanë kaluar vetëm dy javë nga faza e tretë?
– Shikoj përmirësim në lojën tonë. Më pëlqen filozofia e profesor Ilir Dajës dhe mendoj se jemi në rrugën e duhur. Me Korabin u fitua ndeshja me rezultat minimal, por kishim raste dhe kontroll të lojës deri në 80%. Kjo është një shenjë pozitive besoj.

Po Jashanica apo dhe ndonjë tjetër, do të shiten në verë?
– Varet prej formës së Jashanicës si futbollist, që them se ka shumë cilësi. Ju garantoj që ka shumë cilësi ky lojtar, por kemi kohë të mendojmë për lëvizjet, pasi jemi të fokusuar te lufta për titullin e 7-të radhazi. Ka edhe shumë të tjerë, nuk është vetëm Jashanica.

– Sa shanse ka Skënderbeu për titullin kampion, sipas jush?
– Nuk kemi dyshime se do ta fitojmë sërish. Të kapim njëherë kreun dhe pastaj do të na shikojnë të gjitha skuadrat e tjera nga poshtë.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU