Nimaga: Europa na frymëzon, s’i druhemi Dinamos së Zagrebit

Nimaga: Europa na frymëzon, s’i druhemi Dinamos së Zagrebit

281
SHPËRNDAJE

Nuk i ka mbushur ende 23 vjeç, por duket se te Skënderbeu po bëhet një “veteran”, për vetë faktin se ka që vitin 2012, që mban fanellën bardhekuqe. Bëhet fjalë për Bakary Nimaga, mesfushori i cili po shkëlqen dhe beson shumë te grupet dhe nuk e quan çudi kualifikimin e Skënderbeut.

– Nimaga, Skënderbeu është në “play-off”-in e Europa League. Ç’do të thotë kjo për ju?

– Nuk e them për mburrje, por e prisnim diçka të tillë. E prisnim për faktin se Skënderbeu ka vite që po bën paraqitje të shkëlqyera në Europë, nuk është hera e parë. Para dy sezonesh ishim deri në grupet e Europa League, kurse tani jemi vetëm një hap larg. Skënderbeu është mësuar me paraqitje të tilla, nuk është diçka e rastësishme.

– Sapo keni kaluar turin e tretë, gjë që e ka bërë vetëm Kukësi më parë…

– E theksova se ky nuk është suksesi ynë më i madh. Kemi luajtur në grupe dhe duket se do të vijojmë me të njëjtin ritëm, si para dy vitesh. Skënderbeu është thjesht atje ku i takon.

– Sa e vështirë ishte të kaloje Kairatin dhe më pas Mladën?

– Asnjë prej tyre nuk ishte i lehtë për t’u mundur. Të gjithë e dinin kush është Kairati, që ka investuar miliona, por ne e mposhtëm në të gjitha drejtimet. Po ashtu, edhe Mlada nuk na llogariste, por ja ku jemi tani në “play-off”.

– Keni qenë titullar në 4 ndeshjet e fundit europiane, pas qëndrimit në stol ndaj Sant Julias. Çfarë ka ndryshuar?

– Në dy ndeshjet e para isha në stol, ndërsa ndaj Kairatit në Kazakistan fillova të luaj në formacion. Atje arrita të shënoja golin e barazimit. Më pas e binda trajnerin Ilir Daja dhe kam luajtur rregullisht deri tani. Jam shumë i kënaqur, që ka ndodhur dhe një gjë e tillë. Kjo verë europiane është vërtet e suksesshme për mua.

– Ndaj Mladës i ke çuditur të gjithë, pasi luajtët në pjesën e dytë në majë të sulmit, madje e bëtë shumë mirë këtë rol…

– Ishte një zgjedhje e trajnerit. Duke parë se skuadra nuk po dilte në lojën e saj, trajneri Daja më tha të luajë si “pykë”, në majë të sulmit. Vrapova shumë gjatë gjithë pjesës së dytë. Barazuam dhe më pas kaluam në avantazh, ndaj u ndjeva mirë. Dhashë maksimumin, ndërsa gjykimin e japin trajneri dhe ata që më kanë ndjekur.

– Tani është radha e Dinamos së Zagrebit. Si e parashikoni?

– Çdo kundërshtar në Europë është i fortë. Dihet forca e Dinamos së Zagrebit, me të cilën kemi luajtur para dy sezonesh dhe po në “play-off”, por për Champions. E them me bindje se nuk ja kemi frikën kundërshtarit, pavarësisht emrit dhe kualitetit që ka. U mundëm para dy vitesh, por asgjë nuk është si atëherë. Nuk do të jetë çudi, nëse do të kalojmë në grupet e Europa League.

– Që prej vitit 2012 jeni në Korçë. Pas këtyre paraqitjeve, mendoni se shpejt do të kaloni në ndonjë skuadër në Europë?

– Këtë e di presidenti. Kam për detyrë të jap më të mirën në fushë. Oferta mund të them se kam pasur, por kam kontratë me Skënderbeun dhe, nëse do të luaj me ndonjë skuadër jashtë, pyesni presidentin Takaj. Ndihem mirë, të tjerat u takojnë drejtuesve. Jemi të përqendruar te Dinamo e Zagrebit.

– Sa shanse ka Skënderbeu të shkojë në grupet e Europa League?

– Edhe ndaj Kairatit na dhanë pak shanse, ashtu si dhe me Mladën. Shpresoj që pak të na japin edhe me Dinamon e Zagrebit, që të kemi përsëri fatin të kalojmë më tej.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU