Agostineli: Në Shkodër për fitore dhe lojë të bukur

Agostineli: Në Shkodër për fitore dhe lojë të bukur

840
SHPËRNDAJE

Skënderbeu viziton Vllazninë me detyrën për të mbrojtur kreun. Skuadrat vijnë me shije të ndryshme nga mesjava e kaluar, kur kampionët ndaleshin në barazim nga Luftëtari, ndërsa kuqeblutë fitonin me diferencë 3-0 ndaj Korabit, por për Agostinellin kjo luftë frenetike për titullin nuk i lë shteg tjetër, i bën punë vetëm fitorja.

“Pres një kundërshtar në formë që ka bërë mirë në ndeshjet e fundit, vjen i karikuar dhe me moralin e lartë, dhe ne duhet të shkojmë atje dhe të bëjmë një ndeshje të madhe për ta fituar”.

Gjatë pauzës së Kombëtareve, Takaj foli për 3 ndeshje prove për trajnerin dhe skuadrën, afat që skadoi ndaj Luftëtarit, por kur pyetet nëse e ka kaluar këtë provë dhe a ka patur një konfirmim nga Presidenti, Agostinelli kalon në kundërsulm.

“Nuk kam pasur ndonjë takim me Presidentin, pasi shihemi cdo ditë. Duhet kuptuar dicka që besoj se është e rëndësishme: Nëse një skuadër bën një kampionat ku mendohet se mund të merrte më shumë por drejtimi teknik nuk është në lartësinë e duhur, atëherë ndërrohet trajneri. Nëse diskutimi është që mendohet se trajneri është i zoti por duhet përforcuar skuadra, atëherë përforcohet skuadra”.

Me pak fjalë, “topi në fushën e Takajt”, i takon atij të vendosë. Një problem është dhe shënimi i golave. Trajneri shprehet se ky është një aspekt që duhet përmirësuar por duke ruajtur soliditetin në mbrojtje ku Skënderbeu ka pësuar vetëm në 3 ndeshje në kampionat por një kritikë ndaj lojtarëve të avancuar edhe këtu nuk mungon.

“I rikthehem edhe një herë diskutimit. Nëse trajneri mendohet se ka përgjegjësi që nuk shënohet atëherë trajneri duhet të largohet. Nëse mendohet se në këto ndeshje disa kualitete para kanë munguar, atëherë ky është tjetër diskutim. Mua më intereson që ta coj skuadrën të krijojë aksione goli, pastaj është e vështirë që një trajner t’i mësojë si të cojnë topin brenda apo të bëjë stërvitje specifike për këtë punë. Është dicka që e ke ose nuk e ke”.

Megjithatë kur pyetet konkretisht nëse kjo do të thotë se Salihi, James apo Fukui nuk mjaftojnë, Agostinelli është disi më diplomatik.

“Nuk është se nuk mjaftojnë, ndonjëherë s’kanë pasur edhe fat. Nëse Salihi nuk do të kishte gabuar dy penallti do kishte shënuar 7 gola duke patur tjetër mesatare shënimi, ndonjëherë ka momente kur topi nuk do të hyjë brenda, apo gabohet ndonjë gol, por unë golat i pres jo vetëm nga sulmuesit, por edhe nga ndonjë mesfushor apo mbrojtës”.

Agostinelli gjithsesi është i bindur se edhe me këtë grup që ka në dispozicion, Skënderbeu është pretendent për titullin kampion dhe këtë e vërteton fakti që në këto 13 javë ka qenë gjithmonë në krye.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU