Agostinelli: S’bëj llogari, ndaj Kukësit për fitore

Agostinelli: S’bëj llogari, ndaj Kukësit për fitore

584
SHPËRNDAJE

Për një skuadër si Skënderbeu, që e ka dominuar kampionatin shqiptar në 6 sezonet e fundit, matematika në garën drejt titullit nuk ka qenë e nevojshme. Këtë filozofi ndjek edhe trajneri Andrea Agostinelli, që në konferencën për shtyp përpara sfidës me Kukësin, tregon se nuk bën llogari në garën drejt titullit.

Andrea Agostinelli: “Këto tre pikë do të thonë që do të ngjitemi në kuotën e 21 pikëve, pas 8 javëve në kampionat e mbeten edhe 22 ndeshje, apo jo? 32, apo jo? Mbeten edhe 34, apo 24… Edhe sa javë mbeten, nga 36 të sezonit? 28… Jo më kot e bëra këtë, por për të treguar se ajo që ndodh ndaj Kukësit nuk do të vendosë suksesin në kampionat. Është shumë shpejt vërtetë, ky do të jetë një kampionat i ekuilibruar, ashtu si ai i vitit të kaluar.”

Drejtuesi i stolit korçar kërkon nga skuadra që të kthehet te fitoret menjëherë prej sfidës me Kukësin, ndërsa duelin e humbur në fillim të sezonit përballë veri-lindorëve, në finalen e Superkupës, nuk e cilëson si një test për të dalë në konkluzione konkrete.

Andrea Agostinelli: “Skuadra është e qetë. Kur humbet ndeshjen e parë të dhëmb gjithmonë, megjithatë jemi të vetëdijshëm për forcën tonë dhe për faktin se deri në këtë pjesë të kampionatit Skënderbeu ka qenë skuadra më e mirë. Shpresoj të kthehemi te triumfi, edhe sepse kur mësohesh të fitosh gjithmonë, hapi i parë fals ndihet më tepër. Ndaj Kukësit është një përballje që absolutisht mund ta fitojmë prej forcës dhe kualitetit tonë, por ndeshemi me një skuadër të fort dhe vetëm fusha do ta thotë fjalën e fundit. Superekupa ishte një ndeshje specifike dhe nuk mund të shërbejë si test, kjo e tanishmja është një ndeshje tjetër. Ne do të luajmë për të fituar. E kemi arritur këtë në gjashtë nga shtatë ndeshje deri më tani dhe shpresojmë që kjo statistikë të vazhdojë.”

Përballë Kukësit, kampionët në fuqi presin rikthimin e Hamdi Salihit në sulm dhe Sabien Lilajt në mesfushë, me gjendjen e dy lojtarëve që do të vlerësohet deri në momentet e fundit. Trajneri Agostinelli e kalon presionin te kundërshtarët, ndërsa përcakton edhe rivalët për titullin.

Andrea Agostinelli: “Presionin e kanë skuadrat që ndjekin. Po të isha në vendin e tyre, me 4 pikë më pak se kryesuesit do të kisha më tepër presion, sepse e ke kategorikisht të ndaluar të gabosh. Nuk besoj se renditja duhet parë në këto momente, edhe pse ndoshta arrin të krijosh një ide që nuk është përfundimtare, për katër skuadrat që do të rivalizojnë deri në fund. Katër të parat kanë krijuar një diferencë nga të tjerat dhe mund të them se me 90 për qind do të jenë ato ekipet që do të pretendojnë titullin.”

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU