Agostinelli: Sfidë e veçantë por fitojmë ne

Agostinelli: Sfidë e veçantë por fitojmë ne

996
SHPËRNDAJE

Përballjet ndërmjet Skënderbeut dhe Partizanit kanë qenë gjithmonë të veçanta, për cilësitë dhe objektivat që kanë dy skuadrat, por edhe për rivalitetin në fushë dhe tribuna. Tashmë supersfidës së Kategorisë Superiore i shtohet edhe një element, trajneri Andrea Agostinelli përballë së kaluarës.

“Natyrisht që si të gjithë ish-ët, kjo është një ndeshje e veçantë për mua. Por, ajo që ka më tepër rëndësi është që skuadra ime të fitojë ndeshjen”

Tekniku italian vlerësoi forcën e ekipit tek të kuqtë, por beson se korçarët kanë kualitetin të fitojnë me këdo kundërshtar.

“Pikat e forta të kundërshtarit janë të dukshme. Vetë skuadra e Partizanit është e kompletuar dhe duhet mbajtur në konsideratë. Ata janë një grup tejet i fort dhe aty e mbështesin lojën. Mendoj se kemi karakteristikat e duhura për të fituar jo vetëm me Partizanin, por me të gjithë kundërshtarët. Në aspektin taktik dhe teknik, jemi dy skuadra krejt të ndryshme”

Përballja e kësaj të enjte në orën 17:00 në Korçë do të përcaktojë edhe se cila prej dy skuadrave do ta mbyllë gjysmën e parë të sezonit pranë kryesuesve të Kukësit. Edhe pse Skënderbeu-Partizani është një duel direkt për titullin, Agostinelli nuk ndihet nën presion.

“Nuk kemi presion. Duhet ti luajmë ndeshjet një nga një. Me këtë sfidë përfundon gjysma e parë e sezonit dhe shpresojmë që të përmirësojmë pozitat tona në renditje. Për presion është normale të flasësh në javët e fundit, por jo në këtë moment. Synimi është që në javën e fundit të kampionatit të kemi të paktën një pikë më tepër se rivalët e tjerë për titull. Besoj te skuadra ime, te klubi im dhe natyrisht që nuk kam aspak frikë nga këto tre pikë diferencë në renditje nga kryesuesit. Ne duhet të vijojmë të luajmë me intensitetin që kemi paraqitur në 6-7 ndeshjet e fundit.”

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU