Andrea Agostinelli: Jemi të detyruar të fitojmë në cdo fushë

Andrea Agostinelli: Jemi të detyruar të fitojmë në cdo fushë

1046
SHPËRNDAJE

Fitorja minimale në Korcë me Korabin nuk ka qenë bindëse për presidencën korcare, ndaj transferta me Lacin konsiderohet një tjetër test pë rikonfirmimin e Andrea Agostinellit në krye të kampionëve në fuqi të superiores.  Trajneri italianin në konferencën për shtyp një ditë para ndeshjes u kërkoi futbollistët e tij që të jenë më agresivë para portës kundërshtare.

 “Që nga dita e parë klubi më ka kërkuar që duhet të fitojmë, por dhe të zhvillojmë një lojë bindëse. Mendoj se deri tani kemi bërë mirë, por duhet të përmirësohemi në këtë aspektin e lojës dhe në realizimin e golave. Ne kërkojmë të fitojmë sikurse dhe skuadra kundërshtare dëshiron të marrë maksimumin në shtëpi. Në Lac duhet të jemi një skuadër agresive me shumë dëshirë për të shkuar te goli dhe me zgjidhjet e duhura. Them se jemi gati në cdo aspekt për këtë ndeshje.”

59-vjecari kërkon të minimizojë presionin te skuadra e tij, duke qenë i bindur se Skënderbeu do të kthehet me tri pikë të plota.

“Presioni ekziston gjithmonë në futboll, e ka skuadra që qëndron në krye që nga fillimi dhe ato që luajnë për mbijetesë. Në këtë kontekst them se presioni është i njëjtë si te Laci ashtu edhe tek ne. Ne kemi punuar shumë dhe kemi besim se do të marrim atë që kërkojmë.”

Ndryshe nga faza e parë, Skënderbeu  duhet të luajë katër transferta radhazi, që për Agostinellin nuk janë alibi për  të justifikuar mungesën e mundshme të rezultateve.

 “Skëndrbeu nuk është një ekip që bën llogaritë sa ndeshje luan në shtëpi dhe sa jashtë. Jemi një skuadër që ka fituar gjithmonë, ndaj duhet të arsyetojmë në këtë mënyrë. Për mua nuk është shumë problem nëse nuk luajmë në shtëpi, Skënderbeu duhet të ketë identitetin e tij kudo që zbret në fushë.”

Mungesa e golit për Hamdi Salihin në ndeshjet e fundit në njëfarë mënyrë është reflektuar edhe në rezultate, me trajnerin itaian që nuk i vë në diskutim aftësitë e sulmuesit shkodran

“Salihi është pika jonë më e fortë dhe më e rëndësishme. Ne duhet t’ia krijojmë mundësitë që të shënojë sa më shumë gola. Kemi punuar për të minimizuar gabimet tona në shënimin e golit dhe shpresojmë që ai të shërbehet sa më mirë që të shënojë, sepse golat e tij na nevojiten shumë.”

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU