Daja: Ekipi po fiton ritmin para Dinamos

Daja: Ekipi po fiton ritmin para Dinamos

265
SHPËRNDAJE

Për trajnerin e Skënderbeut, e rëndësishme është që skuadra po stërvitet e plotë dhe ka konkurrencë mes grupit për një vend në formacion

Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, është shprehur dje se gjithçka po shkon mirë këto ditë për skuadrën e tij. Ai thekson se po përpiqet shumë të rikthejë sa më parë formën fizike, që kishte skuadra përpara Mladës. Daja ka folur për stërvitjen, formacionin, sulmuesin Ali Soue dhe kundërshtarin e 17 gushtit.

STËRVITJA – Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, duket sikur është i kënaqur me stërvitjet e këtyre ditëve dhe deklaron se gradualisht skuadra po rimerr ritmin, që kishte para Mladës: “Këto ditë mund t’i quaj stërvitje të hapura, pasi kanë qenë kryesisht kemi pasur si qëllim rikthimin e kondicionit fizik, që kemi pasur para Mladës. Vetëm kur të fillojmë në stadium, në fundjavë, do të fokusohemi te taktika dhe formacioni. Për mua e rëndësishme në këtë moment është se janë rikthyer të gjithë lojtarët, që patën probleme dëmtimi. Kur të rikthehen jo pak, por pesë titullarë, sigurisht që je i qetë, sepse i bën mirë skuadrës. Ka konkurrencë dhe është kjo ajo që po bie në sy në këto stërvitje. Të gjithë luftojnë për një vend në formacion dhe kjo i ndihmon të gjithë. Kemi kohë deri të enjten dhe gradualisht do ta marrim edhe atë ritëm, që kam kërkuar.”

FORMACIONI – Në lidhje me formacionin e mundshëm të Skënderbeut ndaj Dinamos së Zagrebit, trajneri Daja ka thënë: “Që sot (dje) ka filluar edhe mikrocikli javor, që zbulon formacionin. Është e vërtet, që lojtarët e marrin vesh një javë para se kush do të jetë në formacion, por në fakt ne vetëm sot (dje) kemi zhvilluar stërvitje me këtë theks. Kur të zbresim në stadium, do ta marrin vesh të gjithë se kush do të jetë titullar, sigurisht do ta marrin vesh lojtarët, por jo media. Gjithsesi, parashikoj edhe ndonjë problem të mundshëm, që mund të ketë rrugës gjatë stërvitjes, prandaj duhen edhe pak ditë, që të zbulohet ky formacion”.

SOWE-DINAMO – I pyetur për sulmuesin Ali Soue dhe Dinamon e Zagrebit, trajneri Daja është përgjigjur: “Ali Soue ka dhënë sinjale të mira, por mos harroni se këto ditë në stërvitje ka qenë theksi i rikthimit të formës dhe nuk kemi këmbëngulur të shikojmë lojtarë të veçantë. Gjithsesi, nga ajo sa kam parë, Ali Souenë e kemi marrë për një lojtar cilësor dhe i tillë është për mua. Sa për Dinamon e Zagrebit, e kam studiuar totalisht dhe kam mbledhur çdo informacion për këtë skuadër. Përpara se t’u them si është kundërshtari, dua të them se gjithçka do ta ndaj vetëm me ekipin, pasi do të jenë futbollistët ata që do të zbresin në fushën e lojës. Deri të enjten kemi kohën e duhur për të vijuar përgatitjet, por nga e diela e në vazhdim do të fokusohemi vetëm te skemat taktike. Do të jemi më të përqendruar në fushë, pasi edhe stërvitjet do të jenë në stadium”.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU