Daja: Luajtëm vetëm për fitore

Daja: Luajtëm vetëm për fitore

666
SHPËRNDAJE

Mjaft i kënaqur me rezultatin është shfaqur pas fitores ndaj Tiranës, trajneri Daja i cili gjithashtu ka pasur rezerva për menyrën si ekipi interpretoi lojën.

NDESHJA – “Presioni është shumë i madh, kishim vetëm një rezultat në lojë dhe ajo ishte fitorja, për të vazhduar rrugën drejt objektivit final. Megjithatë, brenda këtij presioni e tensioni duhet të gjejmë qetësi për të lexuar ndeshjen, nuk duhej të kishim shkuar në ato situata të vështira në minutat shtesë. Lodhja bën të vetën, kemi pasur një kontingjent të reduktuar këtë periudhë dhe ata lojtarë që kanë qenë pjesë e 11-shes kanë minutazh maksimal, duke luajtur thuajse çdo ndeshje. Presioni ndihet, si tek ekipi, ashtu edhe te ne, sepse nuk kemi mundësi të bëjmë lëvizje direkte, por spostojmë lojtarët jashtë roleve natyrale.

LOJA – Të them të drejtën, ka qenë një shpërndarje jo e mirë gjeometrike në pjesën e parë, dy-tre lojtarë janë keqkuptuar në vendosjen taktike. Edhe sulmuesit duhej të lëviznin më shumë në drejtime të kundërt. Nuk mund të them cilët lojtarë nuk ishin aty ku duhej, por në pjesën e dytë ndryshuam mënyrën e lojës, gjë që nuk e bëmë në pjesën e parë. Edhe pse morëm gjerësi në fushë, pasi Tirana u ngushtua drejt zonës, ajo që nuk bëmë mirë ishte që nuk e mbështetëm Salihin mirë dhe e lamë atë të vetëm kundër 3 lojtarëve dhe Xhejms nuk e mbështeti si zakonisht, duke luajtur shumë poshtë, ndërsa zakonisht ai është sulmuesi i parë që duhet të mbështetë Salihin.

PENALLTIA – Nuk e kam parë, nuk mund të komentoj ishte apo jo. Ne ishim të detyruar të prisnim, sepse Tirana ka disa lojtarë shumë të zotë në kundërsulm, ndaj përveçse duhej të sulmonim sa më shumë, duhej edhe kujdes i madh për të mos i dhënë mundësi kundërshtarit të na godiste në kundërsulm. Ndeshja fitohet edhe me penallti”.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU