Daja: Ndaj Teutës fitorja një detyrim

Daja: Ndaj Teutës fitorja një detyrim

524
SHPËRNDAJE

Trajneri Ilir Daja në prononcimin e tij te zakonshem para mediave është shprehur i bindur që ndaj durrsakëve ka vetëm një alternativë, trepikëshi.

-Daja, pas asaj fitoreje në limit ndaj Vllaznisë, vjen radha e Teutës. Si e shikoni këtë takim?

-Normalisht është e rëndësishme pasi jemi në katër ndeshjet e fundit dhe të gjitha pa përjashtim dhe jo vetëm Teuta janë të vështira. Ekipi duhet të jetë i përqëndruar në ndeshje të tilla dhe këtë u kam kërrkuar edhe djemve gjatë këtyre ditëve. Ndaj Teutës presim një ndeshje të vështirë, pasi veç specifikave të veçanta që ka kjo përballje, mund të them se Teuta do të ketë edhe dëshirën për “hakmarrje” pas eleminimit nga kupa. Për këtë ne duhet të vlerësojmë gjithçka, të japim më të mirën në këtë takim dhe të dalim me tre pikët prej andej.

-Ajo fitore dramatike ndaj Vllaznisë si ka ndikuar në moralin dhe gjendjen psikologjike të ekipit?

-Të them të drejtën ekipi gëzon moral të lartë dhe gjendje psikologjike të shëndoshë për vetë faktin se vijmë nga një seri pozitive fitoresh. Fitorja ndaj Vllaznisë shërbeu për të ruajtur këtë ecuri dhe normalisht riti akoma edhe më shumë moralin në ekip. Tashmë jemi më afër me kreun dhe në garë të plotë për objektivat sezonalë.

-Si është gjendja e ekipit tashmë para këtij takimi?

-Mund të them se jemi stabilizuar mjaft. Kemi në dispozicion Orelesin dhe Xhejms, që janë dy lojtarë mjaft të rëndësishëm për manovrat tona, por mbi të gjitha kemi Osmanin e rikuperuar plotësisht dhe me të gjitha seancat stërvitore të zhvilluara. Kjo do të jetë një plus më shumë për ne në një moment kur fitoret në këto javë të fundit duhen më shumë se kurrë. Nga ana tjetër kemi rikuperuar edhe disa lojtarë që kanë qënë me gjendje gripale si Muzaka, Mici apo Radas qe tashmë e kanë kaluar plotësisht problemin.

-Pra, ndaj Teutës vlen vetëm fitorja dhe asnjë rezultat tjetër?

Nëse do të duheshin edhe shumë javë deri në fund, ashtu siç ndodhi edhe në fazën e tretë, mund të toleronim edhe ndonjë barazim, por këtë herë nuk na falet asnjë rezultat tjetër veç fitores, pasi vetëm kështu mund të shkojmë drejt titullit.

-Së fundi këtë javë që ju luani në Durrës, Partizani pret Laçin dhe një ditë më vonë dhe Kukësi pret Flamurtarin. Komenti juaj?

-Nuk më intereson aspak se ç’do të ndodhë në ndeshjet e tjera, pasi mua më intereson vetëm Skënderbeu. Nëse ne i fitojmë të katër ndeshjet deri në fund, jemi kampionë të superligës, prandaj vetëm kur të kenë përfunduar këto ndeshje mund të më interesojë të pyes për rezultatin përfundimtar të tyre dhe asgjë më shumë. Unë jam trajneri i Skënderbeut dhe jo i të tjerave.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU