Daja: Nuk dhamë pika referimi për kundërshtarët

Daja: Nuk dhamë pika referimi për kundërshtarët

1139
SHPËRNDAJE

Testi final përpara rinisjes së kampionatit e la të kënaqur trajnerin e Skënderbeut, Ilir Daja. Në përfundim të sfidës kundër skuadrës Kombëtare të 21-vjeçarëve, numri 1 i stolit të kampionëve e pranon se kjo ndeshje tërhoqi padyshim edhe vëmendjen e kundërashtarëve, por ai thekson se kërkoi të mos jepte pika referimi për të përzier letrat.

“Nuk përdorëm skemën që kemi përdorur gjatë gjithë fazës përgatitore për të mos i dhënë kundërshtarit një element shtesë për të na ndjekur, prandaj patëm probleme edhe në ekuilibrin e lojës dhe nuk kishim shpejtësi në sulm. Ajo që më pëlqeu është se me kalimin e minutave ekii u fut në ritmin e duhur. Jam i kënaqur me formacionin bazë por nuk mund të futem më shumë në detaje”.

Një asist dhe një gol, rumuni Predescu është emri që krijon më shumë kureshtje në grupin aktual të skuadrës korçare, por Daja qartëson se mesfushori ka ende punë për të bërë në mënyrë që të arrijë në formën e duhur fizike dhe të rivalizojë me lojtarët titullarë të mesfushës së kampionëve.

“Që kur e kam parë, kam parë cilësi. Nuk ka presion, ka pasimin e fundit cilësor por duhet të përmirësojë gjendjen fizike. Të gjithë e kanë të qartë që ai që do të jetë më në formë do të luajë titullar dhe ky është një motivim më shumë për të gjithë”.

Daja nuk mund të japë një përgjigje zyrtare për dëmtimin e Hamdi Salihit, i cili braktisi fushën e lojës në minutat e para duke alarmuar jo pak stafin drejtues.

“Menjëherë pas ndeshjes do të bëjmë ekzaminimin e dëmtimit të Salihit, shpresoj të mos jetë i rëndë sepse është qëndërsulmuesi jonë kryesor”.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU