Daja: Përgëzoj djemtë për finalen

Daja: Përgëzoj djemtë për finalen

169
SHPËRNDAJE

Teuta 0-1 Skënderbeu / Ilir Daja

Ilir Daja u shfaq i gëzuar para kamerave pas kualifikimit në finalen e Kupës. Trajneri i Skënderbeut fillimisht përgëzoi lojtarët e tij, por edhe analizoi ndeshjen e sotme ndaj Teutës. Për emisionin “Gol pas Goli”, Ilir Daja u shpreh:

“Së pari dua të përgëzoj futbollistët për kualifikimin në finale, por kupa është e tillë që asgjë nuk ka vlerë, nëse nuk e fiton trofeun. Tani do të nisim të mendojmë menjëherë për ndeshjen e kampionatit në Laç.”

“Për sa i përket ndeshjes, e kemi kontrolluar më mirë ndeshjen në pjesën e dytë, ndërsa në pjesën e parë nuk ishim aty ku duhej dhe Teuta na rrezikoi. Më pas, Latifi shënoi dhe aty u thjeshtësua gjithçka.”

Goli i Latifit, apo i Vangjelit, ishte vendimtar? “Të dy patën shumë rëndësi, Vangjeli na dha një fitore qetësie në Korçë, ndërsa Latifi është një lojtar shumë i rëndësishëm, që na dha fitoren edhe në Vlorë, edhe sot. Tani kemi mundësi të përgatitemi me moral të lartë për ndeshjet e radhës, në kampionat dhe më pas në finalen e kupës.”

Ndryshimet në vendosje, në krahasim me ndeshjen e vajtjes? “Fitorja 1-0 na bënte që të kërkonim më shumë ekuilibër dhe të ngushtonim sa më shumë hapësirat, për të mbrojtur avantazhin e Korçës. Ajo që duhej të bënim sot dhe që e arritëm ishte shënimi i golit, sepse ai na dha qetësinë për të menaxhuar si duhej pjesën tjetër të takimit.”

Tirana përballë në finale? “Nuk më takon të flas për ta. E kam thënë që i lashë brenda objektivave, edhe në vendin e katërt, 5 pikë larg kreut. Gjithsesi, është një histori e mbyllur, tani jam te Skënderbeu, ku jam shumë i kënaqur me kushtet e punës, me organizimin e klubit, me aspektin financiar dhe infrastrukturën.”

“Ndeshja me Tiranën është një ndeshje e fortë, sepse edhe ata e kanë objektiv madhor finalen e kupës. Ashtu si ne, edhe Tirana do të ketë ngarkesë maksimale në ndeshjet e ardhshme, sepse nuk është ende e qetë, por do të kemi kohë ta përgatitim finalen, edhe pse lodhja po ndihet, sepse lojtarët po luajnë çdo 3 ditë. Tani do të përqendrohemi vetëm te kampionati, sepse finalja është pas kampionatit.”

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU