Gavazaj: Në fund i fitojmë të dy trofetë

Gavazaj: Në fund i fitojmë të dy trofetë

845
SHPËRNDAJE

22 vjeçari nga Prizreni po shkëlqen me fanelën e Skënderbeut, ndërkohë që tashmë është titullar i padiskutueshëm dhe premton kupën dhe titullin në këtë sezon.

Erdhi në verën e kaluar te bardhekuqtë dhe në fakt kur ishte në krye të stolit Andrea Agostineli nuk është se ishte pjesë e formacionit. Me ardhjen e Dajës në krye të pankinë, Gavazaj ka luajtur më shumë, ndërkohë që deri tani numëron 727 minuta në këtë superligë. Edhe në ndeshjen e fundit në Laç ish-lojtari i Prishtinës, Gentit, Roeselares dhe së fundi, Skënderbeut, ka treguar se është në superformë dhe ç’do gjë e ndan me shokët e ekipit, pasi sipas tij e rëndësishme është që të fitojë Skënderbeu dhe në fund të sigurojë të dy trofetë, pastaj të tjerat për të janë dytësore. Ditën e djeshme Enis Gavazaj ka përfituar nga pushimi i skuadrës së tij dhe ndodhej pranë familjes së tij në Prizren, ndërkohë që sot do të duhet të kthehet për t’u bashkuar me të tijtë në Durrës. Nga qyteti kosovar, Enisi për “Sport “Ekspres” ka dhënë këtë intervistë:

-Gavazaj ka disa ndeshje me radhë që keni zënë vendin e titullarit. Kjo gjysëm e dytë e sezonit mesa duket po flet për ju?

-Për ç’do futbollist ashtu si edhe për mua është e rëndësishme që të jetë titullar dhe kjo më ka gëzuar edhe mua si lojtar. Po mundohej që kontribuoj sa më shumë për ekipin tim dhe në fund të fundit kam bërë vetëm detyrën dhe asgjë më shumë se kaq.

-Edhe ju si pak lojtarë të tjerë jeni cilësuar si lojtar “xhol”, pasi keni bërë mbrojtësin e krahut, keni luajtur në mesfushë në të djathtë dhe të majtë. Ku ndjeheni më mirë?

-Unë ndjehem më mirë atje ku ka nevojë skuadra. Sa herë më është dashur të kontribuoj atje ku më thotë trajneri, mundohem ta bëj në mënyrën më të mirë.

-Sapo keni mbyllur me ekipin edhe një tjetër transfertë të suksesshme. Skënderbeu mundi Laçin si asnjëherë më parë 5-1…

-Ishtë vërtet një transfertë e vështirë kjo që sapo mbyllëm në Laç. Të gjithë dhamë maksimumin dhe në fund të fundit mendoj se merrituam me plot gojë këtë trepikësh. Bëmë detyrën, atë detyrë që kemi deri në javën e fundit.

-Pavarësisht se keni bërë gjithçka deri tani, keni “gatuar” edhe gola, por ju mungon një gol në ligën superiore. Përse?

-E rëndësishme është që skuadra të ecë përpara dhe jo të shënojë Enis Gavazaj. Gjithsesi unë shpresoj që në javët që na kanë mbetur të shënoj, por pse jo të mos e bëj mirë dhe pasin e fundit. Tre pikët janë ato që vlejnë në fund dhe jo golat e njërit apo tjetrit.

-Luftoni me ekipin tuaj për Kupën e Shqipërisë, por luani edhe për titullin kampion. I fitoni të dyja, apo do të kënaqeni edhe me një trofe?

-Për Skënderbeun të dy trofetë janë të rëndësishëm. Sigurisht që është viti i parë i imi te Skënderbeu dhe unë shpresoj që të sjell të dy trofetë së bashku me lojtarët e tjerë në Korçë. Kjo është një dëshirë që do të përpiqemi të gjithë bashkë ta bëjmë realitet.

-Ka disa javë me radhë që po tregoni Skënderbeun e vërtetë. Kjo është ajo që priste gjithë Korça?

-Në fund të fundit këtë dimë të bëjmë ne dhe këtë di të bëjë Skënderbeu. Nuk na eci në gjysmën e parë, por mendoj që me këtë rritëm që jemi do ja dalim deri në fund. Unë jam i bindur që të gjithë po na mbështesin dhe kjo skuadër e dinë të gjithë që është “gatuar” për titull dhe përse të mos e marrim, pasi ka akoma garë deri në fund.

-Gavazaj si po ndjeheni në sezonin e parë me fanelën e Skënderbeut?

-Jam ambjentuar mirë dhe kjo është diçka e rëndësishme për mua. Jam ambjentuar me grupin, lojtarët, por edhe me qytetin e Korçë. Gjithçka me pak fjalë ka ecur si jo më mirë.

-Shumë është folur edhe për ju si një talent dhe që në verë pse jo edhe mund të shiteni nga kampionët. E keni menduar që mund të ikni kaq shpejt, apo do të preferonit një ekip me emër?

-Njëherë duhet të mendoj për ekipin dhe objektivat që ai ka në këtë sezon, pasi kemi edhe gjashtë javë deri në fund. Kjo është më e rëndësishme, pastaj për gjëra individuale do të flasim në momentin dhe kohën e duhur, pra kur të vijë periudha e verës. Pra, jam i fokusuar te kampionati dhe nuk në intereson gjë tjetër.

-Si ndjehet Gavazaj në Korçë mes gjithë këtyre lojtarëve kosovarë që ka në ekip dhe me kë qëndroni shumicën e ditës?

-Po, është e vërtetë që kam shumë shokë nga Kosova këtu te Skënderbeu dhe ndjehem më shumë se mirë. Përpos janë lojtarë shumë të mirë, janë edhe djem të shkëlqyer. Me pak fjalë kemi pak Kosovë edhe brenda Skënderbeut dhe kjo më kënaq jo vetëm mua, por të gjithëve.

-Javën e ardhshme luani në Gjiokastër. E vështirë?

-Jo vetëm në Gjirokastër, por kudo ku kemi luajtur deri tani, ne shkojmë vetëm për një objektiv, fitoren. Edhe kjo ndeshje e radhës është e rëndësishme dhe ne do të luftojmë për ta fituar atë. Ajo që dua të them është se duhet të japim maksimumin dhe këtë do ta bëjmë, pasi nuk na lejohet asnjë hap i gabuar.

-Gjashtë ndeshje deri në fund, gjashtë finale. Skënderbeu duhet t’i fitojë të gjitha, por duhet të gabojnë edhe rivalët?

-Nuk më intereson se ç’do të bëjnë rivalët. Më intereson vetëm Skënderbeu me të cilin unë luaj dhe padiskutim që ndeshjet e mbetura janë finale dhe duhet t’i fitojmë ne, pastaj se ç’bëjnë të tjerët, është puna e tyre.

-Së fundi, ç’farë u premton Enis Gavazaj tifozëve dhe këtij ekipi me 6-të tituj kampionë radhazi?

-U premtoj padiskutim të dy trofetë, gjë të cilën e premtojnë të gjithë ata që kanë veshur këtë fanelë. Përse të mos jetë ky viti i dy trofeve, gjë që nuk e ka bërë Skënderbeu më parë dhe unë besoj shumë.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU