Gavazaj: Nuk kemi rivalë, duhet kujdes me Tiranën e etur për pikë

Gavazaj: Nuk kemi rivalë, duhet kujdes me Tiranën e etur për pikë

126
SHPËRNDAJE

Enis Gavazaj beson se titulli do të mbetet në Korçë. Kur kanë mbetur edhe tri finale, ai është i bindur se do të grumbullojnë 9 pikë. Nuk i druhet as Kukësit dhe as Partizanit, ndërsa në intervistën e dhënë për mediat e thotë hapur se kampionatin e kanë vetë në dorë. Kosovari flet edhe për veten, ndërsa thotë që ky është momenti i tij më i mirë.

Jeni duke kaluar një formë të mirë. Ky është Gavazaj që prisnim të gjithë?

Kur kalon formë të mirë, vetë një futbollist ndihet i plotësuar. Por, nuk është vetëm meritë e imja. Si ekip jemi në top-formë dhe kjo ndihmon shumë edhe elementët në veçanti më pas.

Keni marrë 6 fitore radhazi, a do të ndalet më ky Skënderbe?

Unë kam besimin që, deri në fund, nuk do të ndalemi. E dimë forcën e grupit, kemi cilësi jo vetëm në fushë, por edhe në stol. Pa dyshim që edhe 11-shja bazë është duke bërë një punë shumë të mirë duke koleksionuar pikët e nevojshme për të qenë brenda objektivave.

Pas golit ndaj Teutës, çeduat disi në lojë. Çfarë ndodhi?

Nuk e di se çfarë ndodhi. Për mendimin tim nuk është se goli na qetësoi, pasi gjatë gjithë kohës kemi kërkuar golin e dytë që do të na jepte siguri. Besoj që, me pak fat, mund të kishim shënuar edhe më shumë. Normalisht që trepikëshi është goxha i rëndësishëm, ndaj jemi të kënaqur që arritëm objektivin.

Jeni 270 minuta larg finishit, si priten këto tri finale?

Do të mundohemi që të japim më shumë se 100% për të marrë maksimumin. Kemi ardhur deri në këtë pikë, ndaj nuk mund të lëshojmë tani. Duam që të përmbushim objektivin sezonal që na është caktuar nga presidenca. Të gjitha ndeshjet janë të vështira, por besoj se do t’i mbyllim me sukses.

Përballë keni edhe Kukësin dhe Partizanin, që deri më tani s’i keni mposhtur kurrë…

Po, është e vërtetë, në tri fazat e parë nuk kemi arritur të marrim maksimumin. Por ne jemi shumë më të fortë tani se në tri fazat e para.

U desh të dëmtohej Lilaj që ju të binit në sy?

Nuk është puna atje, më vjen keq për Lilajn, pasi është një lojtar që do të na jepte shumë dorë në fushë. Por më duhet ta pranoj se ky është momenti më i mirë i imi.

Kukësi apo Partizani, cili ju tremb më shumë?

Nuk kemi asnjë rival, ne duhet të luajmë çdo ndeshje sikur të jetë ndeshja e radhës. Do të bëjmë maksimumin tonë dhe do të jemi të përqendruar tek objektivi parësor.

Një pikë është diferenca nga kreu. Mendoni se në Kukës do të ndahet gjithçka?

Radha është e Tiranës, më pas mendojmë për të tjerët.

Përballeni ndoshta me Tiranën më të dobët të viteve të fundit. Kjo do të thotë se tri pikët janë më të thjeshta?

Jo, nuk mendoj kështu. Thjesht po kalojnë një moment të vështirë. Ata janë të etur për pikë, ndaj duhet të përqendrohemi për të mos gabuar.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU