Gavazaj vendimtar, Skënderbeu në gjysmëfinale

Gavazaj vendimtar, Skënderbeu në gjysmëfinale

195
SHPËRNDAJE

Nuk ka surpriza në Korçë, kampionët bëjnë detyrën në shtëpi duke eliminuar Laçin në çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë. 1-0 fitoi skuadra e Ilir Dajës me një gol të Gavazajt në pjesën e dytë duke menaxhuar një ndeshje delikate pas atij barazimi 1-1 të dy javëve më parë në Kurbin.

Skëndërbeu me pak modifikime në fushë krahasuar me formacionin e kampionatit, ndërsa në krahun tjetër as Laçi nuk u kursye pasi trajneri Sinella tregoi se dëshironte kualifikimin në këtë sfidë. Ishte Gripshi risia më e madhe në formacionin e korçarëve, ndërsa Salihi e Latifi e nisën përballjen që në vërshëllimën e parë. Dhe ishte pikërisht Skënderbeu që u shfaq i pari në zonën e kurbinasve por në minutën e 5 pavarësisht rrëmujës së krijuar në zonë, lojtarët bardhekuq nuk arritën ta shtynin topin në rrjetë. Laçi replikoi me një goditje nga jashtë zonës 2 minuta më pas por Shehi nuk u kap në befasi. Pothuajse 20 minuta të kaluara në heshtje dhe me pak grintë sepse vetëm në të 28-ën Skënderbeu tentoi sërish me Salihin që nuk arriti të shfrytëzonte asistin e Vangjelit. Minutat deri në fundin e këtij fraksioni folën më pas vetëm për miqtë që rrezikuar seriozisht portën e Skëndërbeut. Fillimisht ishte Mensah (30) që vuri në provë Shehin i cili në dy kohë arriti të hiqte topin nga këmbët e Lushkjas, ndërsa 4 minuta më pas Musai tentoi nga jashtë zonës. Sërish Laçi (35) me Vucajn që gjeti përgjigjen e numrit 1 të Skënderbeut, ndërsa në minutën e fundit Vangjeli ishte i pasaktë në finalizim. Me rikthimin në fushë Skënderbeu u rikthye kërkues dhe në të 55-ën pas një topi të ftur në zonë, lojtarët korçarë pretenduan për një prekje me dorë por për kryesorin çdo gjë ishte e rregullt. Pak sekonda më vonë, Latifi bëri gjithçka mirë nga e majta duke dhuruar një asist për Gavazajn, i cili finalizoi saktësisht me të majtën. Një goditje nokdauni për Laçin që rrezikoi të pësonte edhe të dytin në minutën e 72 kur Salihi u bllokua në momentin kur dukej se do ta shtynte në portë topin në këmbët e tij, ndërsa 5 minuta më vonë Mensah nuk arriti të shënjestronte kuadratin. Sërish Salihi në të 78-ën me një të majtë që u stampua në transversë. I pafat shkodrani por edhe Latifi 6 minuta më vonë me një giditje nga brenda zonës që u bllokua nga Selmani. Minutat e fundit u luftua për çdo top por asnjë prej skuadrave nuk arriti të shfrytëzonte rastet që iu krijuan pasi fillimisht në të 90-ën Latifi kishte sërish një top të artë në këmbët e tij, ndërsa në krahun tjetër Shala mund të kishte rihapur ndeshjen por finalizoi jashtë. Një ndeshje e luftuar por që shpërbleu skuadrën e cila krijoi më shumë në fushën e lojës. Skënderbeu pret biletën për në gjysmëfinale, ndërsa Laçi do të fokusohet tërësisht te Kategoria Superiore ku do të luftojë deri në fund të sezonit për të siguruar qëndrimin mes më të mirëve.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU