SHPËRNDAJE

Trajnerin e Skënderbeut, Ilir Daja, nuk e tremb asnje rival, madje ai guxon të deklarojë se skuadra e tij nuk ka rivalë nëse përgjigjet në fushë ashtu si ajo di më mirë të bëjë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri bardhekuq foli për gjithçka, duke filluar nga merkatoja te synimet.

Z. Daja, pas dy javësh minifazë në Turqi, cilat janë përshtypjet për situatën në skuadër dhe a jeni gati për kampionatin?

Përgjithësisht jam i kënaqur dhe besoj se kemi bërë një fazë të mirë. Kemi punuar me program të detajuar për rritjen fizike dhe e rëndësishme është që ekipi nuk ka pasur dëmtime të mëdha. Kjo ishte ajo që më kënaqi më shumë, pasi lojtarët vinin nga 15 ditë pushimi. Nga ana tjetër, jam i kënaqur edhe me seriozitetin që ekipi tregoi në seancat stërvitore. Lojtarët kanë qenë të përqendruar në punë.

Gjatë kësaj kohe janë provuar disa lojtarë. Më konkretisht, kush prej tyre do të vazhdojë të jetë pjesë e Skënderbeut?

Bashkë me presidentin dhe drejtorin sportiv, kemi përzgjedhur disa lojtarë që do të vinin në provë dhe janë testuar mbi atë çka mund të jepnin në këtë ekip. Skënderbeu është një skuadër që ka elementë të mirë në grup dhe afrimet duhet të ishin të matura, pasi edhe merkatoja e janarit nuk ofron shumë mundësi. Së pari, konkretizuam akordin me Predeskun, i cili është një lojtar që mund të na shërbejë në ndërtimin e lojës. Po ashtu, kemi vlerësuar edhe lojtarët e tjerë, kryesisht të rinj, që mund të ndihmojnë ekipin. Një prej tyre është sulmuesi Çarls.

 

Keni thënë se prisni sulmues, keni arritur ndonjë konkluzion për atë pritet të afrohet?

Jo, ende jo, janë disa lojtarë që kemi përzgjedhur dhe po i studiojmë me qetësi për të bërë zgjedhjen e duhur. Sigurisht duam të bëjmë një goditje të mirë në sulm, pavarësisht se kemi kryesulmuesin tonë, Hamdi Salihin, i cili nga dita në ditë po vjen në formën e tij më të mirë. Ardhja e Salihit në formë do të na ndihmojë shumë në këtë repart.

Për të mos harruar se kemi edhe Latifin, një lojtar me mjaft potencial, ndoshta një nga më të talentuarit e kampionatit që mund të na japë një dorë të madhe. Është një futbollist me një potencial të madh dhe do të mundohemi që aftësitë e tij individuale t’i vëmë në të mirë të ekipit. Gjithashtu edhe Xhejms mund ta konsiderojmë, pasi është një futbollist që ka bërë mirë dhe nëse qëndron në fazën përgatitore do të ishte shumë efektiv për ne.

Është rikthyer edhe Plaku, por a mund të na thoni se çfarë roli do të ketë, duke qenë se në sulm ju keni provuar Salihin në majë?

Sebino është një futbollist karakteristikat e të cilit dihen mirë dhe vlerat i ka të shumta. Unë kam folur vetë me lojtarin dhe i kam thënë se nëse e tregon në fushë forcën e tij, atëherë do të jetë një element shumë i rëndësishëm për ne. Ndoshta edhe titullar.

Ndërkaq, pritet të ketë edhe largime ose e thënë ndryshe huazime. Cila është situata e Serxhios, Hoxhajt dhe Malajt?

Dua të flas në përgjithësi, pa u ndaluar te lojtarë të veçantë, pasi ende asgjë nuk është bërë për huazimet e lojtarëve. Largime nga Skënderbeu nuk do të ketë, pasi të gjithë lojtaret janë mjaft të mirë dhe mund të japin shumë në këtë ekip. Sigurisht, për shkak të mbipopullimit të reparteve të caktuara, por edhe për të pasur minuta në dispozicion, do të shohim mundësitë për ndonjë huazim të mundshëm. Jemi duke vlerësuar situatën për gjithkënd dhe do të dalim në konkluzion përfundimtar brenda këtyre ditëve.

Po me Fukuin çfarë do të ndodhë, është në planet tuaja?

Fukui është pjesë e Skënderbeut. Gjatë kësaj kohe lojtari ka punuar me një program të veçantë individual, të dhënë nga ana ime dhe sigurisht që është një lojtar që do të na hyjë në punë. Falë aftësive që ka, duke luajtur në disa pozicione, por edhe rendimentit të mirë fizik, mbetet një lojtar i rëndësishëm që vlerësohet nga unë. Do të jetë pjesë e Skënderbeut, pa diskutim.

Me sulmuesin që pritet të afrohet mbyllet merkatoja e Skënderbeut?

Jo, asnjëherë nuk mund të quhet e mbyllur një merkato në një ekip si Skënderbeu, që ka ambicie dhe potencial të fitojë shumë. Merkatoja është e hapur deri më 31 janar dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë.

Në këtë merkato janë forcuar mjaft edhe Partizani dhe Kukësi. Si e shikoni garën për titull?

Gjithmonë kur bëhen afrime në një ekip, sidomos në janar, mediat e pasqyrojnë si goditje të mirë apo të madhe. Por, do të shohim në fushë se cili ekip ka goditur mirë në merkato. Normalisht është diçka që do të shihet me kalimin e kohës.

Ju e keni quajtur dështim nëse nuk shpalleni kampion. Me këtë grup lojtarësh, jeni i bindur që fitoni titullin?

Unë besoj te grupi i lojtarëve që kam. Skënderbeu ka një kontingjent të mirë dhe të aftë për të fituar titullin. Janë lojtarë që dinë të fitojnë dhe të mbajnë peshën e duhur në ekip.

Edhe vetë ish-kapiteni legjendar i Skënderbeut, Bledi Shkëmbi, ka vlerësuar shumë Partizanin, duke e cilësuar favorit për titull. Ju tremb ekipi i kuq në këtë “luftë”?

Veçanërisht në të gjitha ekipet ku unë kam punuar, nuk kam pasur asnjëherë frikë nga kundërshtarët. Nuk e shoh të frikshëm Partizanin dhe asnjë ekip tjetër, pasi nëse Skënderbeu im di të përballojë mirë situatën ndeshje pas ndeshjeje, gjithçka është në rregull.

Doni të thoni se nuk keni rivalë?

Praktikisht po, sepse Skënderbeu është një ekip shumë i kompletuar dhe nuk ka pse të druhet nga askush. Kemi lojtarë që mbajnë peshë të madhe si Radas, Osmani, Vangjeli, Lilaj apo Jashanica, pa përmendur të tjerë që janë po kaq me eksperiencë. Ky grup është i aftë të përsërisë sezonet e kaluara dhe të shpallet sërish kampion për herë të shtatë radhazi.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU