Mici: Synojmë Kupën dhe titullin

Mici: Synojmë Kupën dhe titullin

565
SHPËRNDAJE

Kupa është një objektiv i rëndësishëm për Skënderbeun. Jo vetëm sepse gara për titull do të zgjidhet në fund të sezonit, por edhe si një trofe që korçarët nuk e kanë fituar asnjëherë në periudhën 6-vjeçare ku kanë dominuar futbollin shqiptar. Skuadra e Ilir Dajës niset nga avantazhi minimal në ndeshjen e parë, ndërsa në gjysmëfinalen e kthimit në fushën e Teutës mbrojtësi Gledi Mici e ka të qartë atë që duhet bërë.

“Kemi bërë një ndeshje të parë me rezultatin në favorin tonë. Në ndeshjen e kthimit është e rëndësishme të mos pësojmë gol dhe të kualifikohemi në finale për ta fituar Kupën, pasi ky trofe është një prej dy objektivave madhorë të Skënderbeut. Përderisa kemi ardhur deri në këtë pikë, besojmë 100 për qind te fitimi i Kupës, por duhet bërë kujdes, pasi Teuta është e fort në shtëpinë e saj.”

Teuta është një kundërshtar problematik për Skënderbeun, megjithatë bregdetarët nuk fitojnë në shtëpi përballë korçarëve prej Shtatorit të vitit 2014.

 “Ndeshjet me Teutën kanë qenë gjithmonë të forta dhe të vështira. Presim një Teutë agresive në sulm, pasi nuk kanë çfarë të humbin. Pas fitores në fushën e parë, ata do të na sulmojnë, por ne e kemi përgatitur ndeshjen që të fitojmë. Gjithmonë kemi qenë shumë të qetë psikologjikisht, pavarësisht se nuk kemi marrë rezultatin e dëshiruar. Megjithatë loja ka qenë gjithmonë aty, i kemi dominuar të gjitha ekipet si në fushën tonë, ashtu edhe në ndeshjet jashtë fushe.”

Pasi e ka fituar Kupën e Shqipërisë gjatë vitit të kaluar me Kukësin, natyrshëm që Mici preferon titullin. Megjithatë, mbrojtësi 26-vjeçar beson se Skënderbeu mund ti fitojë të dy trofetë për herë të parë në histori.

“Do të preferoja më tepër të fitoja kampionatin, por edhe Kupa është objektivi ynë. Përse jo t’i fitojmë të dy trofetë. Ne jemi kampionët e Shqipërisë dhe të gjithë na e kanë frikën, kjo është mëse normale. Tre pikë nuk janë shumë, pasi luhen edhe 7 javë. Shpresoj që kundërshtarët të gabojnë sa më shpejt, sepse Skënderbeu nuk do të gabojë më.”

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU