Shehi: Nuk merremi me rivalët, ne pretendentët kryesorë për trofeun

Shehi: Nuk merremi me rivalët, ne pretendentët kryesorë për trofeun

2151
SHPËRNDAJE

Për “gardianin” dhe kapitenin korçar bardhësia në Kukës i erdhi për shtat Skënderbeut, por që bardhekuqtë bëjnë lojën e tyre dhe nuk mendojnë për rivalët Një ditë pas fitores më të fundit të Skënderbeut në Shkodër, kapiteni Orges Shehi, deklaron që skuadra e tij po bën më së miri detyrën deri në këtë moment dhe me merritë nga -4 pikë që ishte në startin e fazës së tretë, tashmë Skënderbeu është baraz me pikë me Kukësin.

Vetë Shehi deklaron që ndeshjen e djeshme Kukësi-Partizani 0-0 nuk ka pasur mundësi ta ndjekë, por pasi mësoi rezultatin u gëzua, sepse në fakt në Korçë të gjithë do të kënaqeshin me barazim në kryendeshjen e javës dhe ky rezultat u shënua. Skënderbeu me 47 pikë, ka aq sa veriorët dhe sigurisht që kjo ka rritur më shumë presionin ndaj kukësianëve, ndërkohë që korçarët janë të qetë nën drejtimin e Dajës dhe vazhdojnë jave pas jave të fitojnë. Kapiteni Orges Shehi për “Sport Ekspres” ka dhënë këtë intervistë:

-Shehi më së fundi Skënderbeu në javën e 23-të barazon Kukësin në krye të superligës. I kënaqur?

-Jemi të kënaqur për mënyrën se si luajtëm ne këtë javë që u mbyll dhe për atë fitore që morrën në transfertë. Për kaq sa kemi arritur deri tani jemi të kënaqur, por kemi shumë për të bërë në të ardhmen, pasi ndeshje të tjera na presin përpara.

-Kjo renditje në krye me kukësianët erdhi edhe për merritë të fitores tuaj në Shkodër 1-0. Fitore që sipas jush?

-Për mua dhe për Skënderbeun të rëndësishme janë të gjitha fitoret që ne arrijmë. Udhëtuam me synimin e vetëm për tre pikë dhe e arritëm atë. Pavarësisht se ç’bënë kundërshtarët tanë ne sot jemi baraz me pikë me Kukësin.

-Gjithsesi Skënderbeu vazhdon që shumicën e ndeshjeve t’i fitojë vetëm 1-0. Ku qëndron problemi?

-Jemi përmirësuar dhe ju kujtoj që edhe përpara një jave e theksova që e rëndësishme është së pari të fitojmë, pastaj si 1-0 apo 3-0, të gjitha fitoret njësoj janë, pasi të japin vetëm tre pikë. Jemi kompaktë në të gjitha repartet dhe ekipet kundërshtare pak po na rezikojnë, ndërkohë që ne edhe mund të kishim shënuar së fundi më shumë se një gol, por ja që fituam 1-0.

-Kukësi baraz me pikë me korçarët, Partizani katër pikë prapa. Edhe të kuqtë në garë për trofeun?

-Të tre skuadrat e kreut do të jenë në garë deri në fund. Personalisht jam tip që nuk merrem aspak me kundërshtarët, apo rivalët siç mund të quhen, është më e mira të merremi vetëm me veten tonë.

-Trajneri Daja në pesë ndeshje vazhdon të jetë i pathyeshëm me pesë fitore. Mund të themi tani që ishte i duhuri për Skënderbeun?

-Ju kujtoj që trajneri në çdo ekip qoftë varet nga lojtarët dhe ne mendoj se po i përgjigjemi mirë filozofisë së tij. Sigurisht që edhe merritë e tij që ne po fitojmë javë pas jave, por duhet të vazhdojmë në këtë rrugë.

-Pas Dajës edhe ju keni një rekord më vete, pasi keni 481 minuta që nuk pësoni gol…

-Rekordet pak rëndësi kanë për mua, ndërkohë që po funksionojmë mirë. Loja nuk është vetëm e imja, por e gjithë grupit dhe kjo tregon që të gjithë futbollistët po lenë pak hapësira prapa. Jemi kompaktë në të tre repartet dhe ky po që është sukses.

-Shehi, tani që e keni gjetur veten dhe keni rikuperuar katër pikë në pesë ndeshje, jeni më të qetë?

-Që kur e filluam fazën e tretë kishim si objektiv që të grumbullonim sa më shumë piKë. Deri tani detyrën tonë e kemi bërë shumë mirë, por kursesi nuk duhet të ulim ritmin dhe të jemi sa më të përqëndruar ndeshje pas ndeshjeje.

-Javën e ardhshme Skënderbeu pret Teutën në shtëpi. I vështirë ky takim dhe si do ta përgatisni ndeshjen e radhës?

-Të gjitha ndeshjet janë të vështira, si në shtëpi, por edhe në transfertë. Teuta ka një skuadër shumë të mirë dhe realisht duhet të ishte më lart në renditje. Kemi përballë një kundërshtar të fortë dhe unë mendoj që do ta përgatisim në mënyrën më të mirë dhe duhet të përqëndrohemi qysh sot vetëm te ai 90 minutësh.

-Po javën e ardhshme Partizani udhëton në Laç dhe Kukësi në Vlorë. Është momenti që të jeni të vetëm në krye të superligës?

-Duhet t’i marrim ndeshjet një e nga një dhe të mendojmë vetëm për Teutën. Rivalët tanë kanë kampionatin e tyre dhe ne kemi kampionatin tonë, ç’ka do të thotë se nuk na intereson se ç’farë bëjnë.

-Por pas Teutës fillojnë “maloret” për Skënderbeun, pasi do të përballeni me Tiranën dhe Partizanin në transfertë dhe në javën e parafundit prisni Kukësin në Korçë?

-Deri atëherë ka kohë që të mendojmë dhe të flasim. Të kalojmë njeherë ndeshjen e radhës dhe pastaj radhën e kanë të tjerat sipas kalendarit.

-Në javët e para ju kemi pyetur sa shanse ka Skënderbeu për titullin, po tani në këtë moment kur kanë mbetur edhe 13-të javë, sa shanse ka realisht Skënderbeu për trofeun e 7-të kampion radhazi?

-Skënderbeu ka qenë gjithmonë pretendenti kryesor për fitimin e titullit kampion dhe i tillë është edhe këtë sezon, madje deri në fund.

-Së fundi mendoni se kjo superligë ç’do javë e më shumë po dhuron emocione të mëdha si në fund por edhe në krye?

-Është një superligë vërtet e fortë, e bukur dhe shumë e vështirë. Kjo për merritë të të gjithë kundërshtarëve që kanë objektivat e tyre dhe po përpiqen e do të përpiqej maksimalisht deri në fund që t’i arrijnë.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU