SHPËRNDAJE

Skënderbeu i jep vazhdimësi fitoreve në këtë fillim të vitit 2017, duke mposhtur minimalisht edhe Korabin në “Elbasan Arena”. Suksesi i korçarëve u vendos nga 11 metërshi i shënuar nga i rikthyeri Hamdi Salihi.

Mungesat binin në sy në formacionin e Ilir Dajës, ku përveç Latifit të pezulluar, Salihi, Muzaka dhe Predescu qëndronin në stol, ndërsa Ogunxhimi e ndoqi sfidën nga tribuna. Me Osmanin të spostuar sërish në mesfushë, sulmi i’u besua Sebino Plakut, por paraqitja e korçarëve në pjesën e parë ishte nën ton.

Rasti më i mirë për kampionët në fuqi u regjistrua në minutën e 23-të, me Orelesin që nuk inkuadroi portën, duke mos përfituar nga pasiguria e Vujadinoviç. Në një pjesë të parë loje ku nuk goditi për asnjë moment portën, Skënderbeu provoi pa sukses edhe me Lilajn, por edhe me tentativën me kokë të Orelesit.

Përpara pushimit ndërmjet pjesëve, Sebino Plaku u ndëshkua me karton të verdhë për simulim nga arbitri Klajdi Kola, pas një dueli në zonë me mbrojtësin Sheta.

Paraqitja e korçarëve ndryshoi menjëherë prej sekondave të para të pjesës së dytë të lojës, me Vujadinoviç që bëri mrekullinë pas tentativës së Plakut, ndërsa portierit të Korabit i erdhi në ndihmë edhe traversa.

Plaku mbeti rreziku kryesor i mbrojtjes dibrane, fillimisht duke mos u koordinuar si duhet në goditje, ndërsa në të 59-ën tentativa e tij u frenua nga Vujadinovic. Pas këtyre episodeve Plaku i la vendin në fushë Salihit, ndërsa pak çaste më parë trajneri Daja përdori edhe kartën Predesku.

Me kalimin e minutave, presioni i Skënderbeut u rrit, ndërsa pas një tjetër mundësie të shpërdoruar nga Tefik Osmani gjyqtari Kola akordoi një 11-metërsh në favor të korçarëve pas ndërhyrjes së Çelës ndaj Lilajt.

Hamdi Salihi mori përsipër ekzekutimin e penalltisë, duke i dhënë Skënderbeut kryesimin në të 66-ën, duke thyer Vujadinovic që e preku topin, por pa e larguar. Një rrjetë e rëndësishme për bomberin shkodran, të cilit goli i mungonte prej 14 Dhjetorit, e mbi të gjitha pas tre penalltive të humbura në këtë sezon.

Ofensiva e korçarëve vazhdoi edhe pas avantazhit, me Sabien Lilaj-n që fillimisht gaboi vetëm për pak centimetra shënjestrën , ndërsa në të 75-ën goditi shtyllën, me aksionin që u cilësua i parregullt pas një sinjalizimi për pozicion jashtë loje.

Skënderbeu mund të kishte dyfishuar me Salihin në të 82-ën, por sulmuesi gaboi me portën e boshatisur, pas një dalje të shkëlqyer të Radas. Dy minuta më pas, sulmuesi shkodran kishte një tjetër mundësi për të mbyllur sfidën, pas lëvizjeve të bukura të Xhejms, por sërish nuk arriti të inkuadronte portën.

Në çastet e fundit të ndeshjes, te Skënderbeu debutoi edhe Nazmi Gripshi, i aktivizuar në vend të Predescu pas një çarje që rumuni pësoi. Në një ndeshje të zgjidhur sërish nga vetëm një gol, Skënderbeu regjistroi fitoren e dytë radhazi në fazën e tretë, duke barazuar në kuotën e 38 pikëve Partizanin e vendit të dytë dhe ruan hapin e rivalëve për titullin kampion.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU