Daja: Kemi karakter dhe mentalitet fituesi

Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, ka mbetur mjaft i kënaqur nga fitorja kundër Dinamos së Kievit. Nuk ishte një ndeshje e lehtë, në fund ankthi ishte i madh, por lajmi se fitoi partizani i Beogradit ka ulur pak entuziazmin. Gjithsesi, Daja i gëzohet lojës së mirë, mentalitetit fitues dhe faktin që nuk u mund nga asnjë rival në Shqipëri.

“Do të thosha që jemi shumë të kënaqur për shumë arsye. Treguam karakter duke fituar me përmbysje. Kemi mbyllur ndeshje shtëpiake pa pësuar asnjë humbje. Kemi treguar gjatë gjithë kohës që nuk kemi qenë inferiorë ndaj askujt, pavarësisht nga emrat që kishim përballë, të gjithë me traditë në Europë. Ishim të barabartë dhe kjo është fantastike për Skënderbeun dhe gjithë futbollin shqiptar, sepse në vazhdimësi mund të përmirësohemi edhe më tej.

Partizani i Beogradit fitoi – “Na erdhi keq, e morëm vesh kur mbaroi ndeshja dhe ishim tensionuar nga minutat shtesë, ku po vuanim. Gjithsesi, treguam që tashmë jemi në klubet e rëndësishëm të Europës, kemi grumbulluar shumë pikë, kemi humbur vetëm 2 ndeshje dhe kemi luajtur si ekip elite.

Ku gaboi Skënderbeu, që nuk shkoi dot te kualifikimi? “Nuk do flisja për gabime, duke parë atë që kemi dhënë. Do thosha që në Beograd luajtëm mirë dhe dhamë shumë. Nuk meritonim të fitonim, por luajtëm mirë dhe mund të merrnim barazimin. Në ndeshjet e tjera, qoftë me Jang Bojs, qoftë me Partizanin në Elbasan, kemi pasur edhe fatin kundër, sepse kemi humbur edhe lojtarë të dëmtuar që në fillim të ndeshjes. Nëse nuk do kishin qenë këto situata, do kishim marrë fitore në Elbasan.

Xhejms në krah – “Ka sakrifikuar shumë, i shërben shumë ekipit me ekuilibrat në fazën sulmuese dhe atë mbrojtëse. Po të kishim një lojtar tjetër në krah, do ishte më e lehtë. Ndoshta gabon në vendosje ndonjëherë, por ai i shërben shumë ekipit, si filtër përpara, duke ndihmuar shumë sulmin dhe mbrojtjen. Kur një lojtar sakrifikon shumë për mbrojtjen, ndonjë gabim është i pranueshëm.

Lilaj, kthim me peshë – “Është lojtar shumë i rëndësishëm, i vetmi nga kampionati shqiptar që luajti titullar me kombëtaren në Turqi. Ka sakrifikuar shumë, sepse vjen nga një dëmtim dhe mund të rrezikonte. Tani do të nisim punën për ndeshjen e së hënës kundër Partizanit, ndeshje shumë e rëndësishme. Duke të kujtoj për kolegët e mi që ne po luajmë çdo 3-4 ditë dhe nëse një ndeshje na shtyhet një ditë, nuk është fundi i botës.

Ndeshja me Jang Bojs, më shumë për promovim? “Deri tani luajtëm për kualifikim, nuk kemi menduar për promovim. Nuk kemi shumë lojtarë për promovim, sepse nëse mendon ashtu, jo gjithnjë funksionon, sepse nëse nuk ecën mirë skuadra, nuk shkëlqen askush. Ne do të mendojmë për ndeshjen e radhës për kampionat, më pas të shohim për të tjerat”.

Lini nje pergjigje

Your email address will not be published. Required fields are marked *