Daja: Ndikoi lodhja, rikthehemi te fitoret

Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja nuk e bën dramë humbjen e parë në kampionat, teksa thekson se kjo do të ndodhte herët a vonë, ndërsa evidentoi edhe lodhjen e shkaktuar nga transferta europiane në Zvicër.

“Kemi bërë një pjesë të parë shumë të mirë dhe me shumë raste, por kam rezerva për lojtarët e sulmit, që nuk finalizuan dhe nuk shërbyen mjaftueshëm për njëri-tjetrin. Mungesa e golit na ndëshkoi, sepse dihej që në pjesë ne dytë do të vuanim disi lodhjen e takimit të Zvicrës dhe kjo bëri që të mos kishim fuqinë e duhur për të kthyer rezultatin. Gjithsesi nuk duhet ta bëjmë dramë, sepse humbja e parë do të vinte herët a vonë, ndërsa tani duhet të shikojmë përpara dhe të rikthehemi menjëherë te fitoret”, tha Daja.

Trajneri i korçarëve ka rezerva edhe për paraqitjen e James, nga i cili theksoi se priste shumë, por u shpreh se skuadra u penalizua edhe nga mungesat e rëndësishme, që i limitonin zgjedhjet.

“Nimaga nuk ishte në maksimumin e tij dhe mendova të tërhiqja disi Jamesin, që vepron më mirë në zona të vogla, por kam shumë rezerva për lojën e këtij të fundit, pasi prisnim shumë sepse nuk udhëtoi në Zvicër dhe ishte i freskët. Vuajtëm edhe mungesat e futbollistëve si Osmani, Radas apo Dita, që mund të na jepnin shumë, nëse do t’i kishim të gatshëm”, u shpreh tekniku korçar.

Lini nje pergjigje

Your email address will not be published. Required fields are marked *