Fiton Skënderbeu, Qose tripletë në premierë

Fiton Skënderbeu, Qose tripletë në premierë

1057
SHPËRNDAJE

Denisa Qose shkëlqen në ndeshjen hapëse të Skënderbeut për femra. Korçarët mposhtin pa probleme Dajtin.

Skënderbeu – Dajti 3-1

Shënuese: Qose 29’, 70’, 90’ / Xhaferi 40’

Skënderbeu: Sula, Shkëmbi, Kullira (Merolli 55’), Zizolli, M. Niçku, Morava, Potomi, J. Niçku, Beluli, Binjaku (Zere 46’), Qose. (Në dispozicion: Bako, Repa, Baçe) Trajner: S. Lako

Dajti: Dizdari, Guta, Disha, Gjoni, Koromani, Domi, Çikollari, Molla, Koça, Nuho, Xhaferi. (Në dispozicion: Lani, Shehaj, Xhabafti, Xhaferaj, Shkalla, Daçi) Trajner: K. Gjonpalaj

Skënderbeu në futboll për femra e ka nisur me “këmbë të mbarë” sezonin e ri futbollistik 2017-2018, teksa sot në javën e dytë të superligës ka luajtur ndeshjen premierë, pasi në javën e parë e ka pasur pushim. Dhe, ky start ka ardhur me një fitore me tre gola të Denisa Qose, që ishte protagoniste në fushë, pasi jo vetëm që i dha fitoren Skënderbeut, por zhvilloi edhe një lojë të mirë.

Nën reshjet e shumta të shiut dhe temperaturave më shumë se të ulëta, Skënderbeu dhe Dajti këtë takim të orës 12:00 e kanë luajtur në aneksin e stadiumit “Skënderbeu”. Pjesa e parë ka qenë pa shumë raste shënimi për të dy skuadrat, me përjashtim të dy momenteve të golave, ndërkohë që loja është zhvilluar në mesin e fushës. Vetëm pas 29-të minutash loje do të vinte goli i avantazhit për vendaset, teksa Qose nga jashtë zone gjuan fuqishëm dhe topi përfundon në rrjetë duke kaluar në këtë mënyrë Skënderbeu në avantazh. U duk se Skënderbeu do ta mbyllte shpejt këtë fitore edhe me golin e dytë, por në zbritjen e vetme të Dajtit, është Xhaferi që brenda zonës korçare pesë minuta para fundit të pjesës së parë barazon shifrat në 1-1.

Pjesa e dytë nis me vrull për vendaset që kërrkojnë me ngulm golin e avantazhit dhe pas shumë rastesh e gjejnë këtë gol në minutën e 70-të. Është përsëri Denisa Qose që provon nga jashtë zone me të majtën dhe topi përfundon në rrjetë. Pas avantazhit miket nuk kanë më fuqi, ndërkohë që vajzat e trajnerit Stavrion Lako kërrkojnë me ngulm edhe golin e sigurisë.

Duhet të vinte minuta e fundit që Skënderbeu të shënonte edhe të tretin. Goditje dënimi për Skënderbeun dhe Qose nga 30 metra larg e çon topin në kuadrat duke tundur për herë të tretë rrjetën e Dajtit dhe duke i dhënë Skënderbeut këtë fitore 3-1 dhe tre pikët e para të sezonit në ndeshjen e parë premierë.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU