Gavazaj: Ta mbyllim vitin me fitore

Mesfushori kosovar dy “pengjet” dhe thekson se nuk diskutohet trofeu nga skuadra e tij, madje ka besim se diferenca e pikëve me rivalët do të rritet.

Fitorja me Lushnjën dhe diferenca prej 9 pikësh me vendin e dytë e bëjnë Skënderbeun ta presë me shumë qetësi ndeshjen e fundit të vitit me Teutën. Korçarët janë kampionë dimri dhe tashmë askush nuk dyshon se titulli kampion do të kthehet në juglindje. Enis Gavazaj, një nga titullarët e Skënderbeut, në një intervistë për “Sport Ekspres” thekson se skuadra do të rritet më shumë në 2018-ën. Ai shprehet se do ta mbyllë me fanellën e Skënderbeun edhe këtë sezon, në fund të të cilit do të festojë titullin kampion. Më pas dëshiron të luajë në një kampionat të huaj.

– Gavazaj, Skënderbeu kampion dimri. A mund të themi se gjysma e punës është bërë?

– Ne kemi dhënë maksimumin për këtë pjesë të parë të sezonit, duke sakrifikuar shumë dhe duke arritur gjithçka kemi dashur në lidhje me objektivat. Kemi kryer një punë të madhe deri tani, por mbetet edhe diçka më shumë se gjysma për t’u luajtur vitin tjetër, për të qenë më mirë se tani. Jam i bindur se do të jemi më mirë, pasi luftojmë vetëm në dy fronte, në Kupë dhe kampionat. Kjo do të thotë se koha për rikuperim është më e mjaftueshme.

– Diferenca prej 9 pikësh me ndjekësit më të afërt, sipas jush, është e pranueshme për 15 javë?

– Të them të drejtën, janë shumë, sepse i takon të kemi katër ndeshje diferencë me rivalin më të afërt. Për një ekip si Skënderbeu kjo diferencë është normale dhe besoj se do të thellohet javët e ardhshme.

– E mbyllni me Teutën vitin 2017. Si e prisni ndeshjen e së premtes?

– Si ndaj çdo ekipi tjetër, mendojmë vetëm për të marrë fitoren. Një gjë të tillë e kemi synuar edhe në Europë, në çdo ndeshje që kemi luajtur. Të njëjtën gjë do të bëjmë edhe në këtë takim. E respektojmë Teutën dhe them se do të bëjmë maksimumin për të dalë me 3 pikë nga kjo ndeshje për ta mbyllur si duhet vitin 2017.

– Nëse bëjmë një përmbledhje të ndeshjeve të deritanishme, ju si mendoni, është Skënderbeu më mirë apo janë rivalët më dobët?

– Ekipi ynë ka dy-tre lojtarë cilësorë në çdo pozicion. Kjo do të thotë se nuk do shumë mend për të kuptuar se Skënderbeu është shumë më lart se kundërshtarët e tij këtë sezon. Kampionati po bëhet shumë i fortë, por po e përballojmë me qetësi, duke mbajtur një tjetër hap.

– Sa pozitiv ka qenë viti 2017 për Skënderbeun?

– Besoj se në pjesën më të madhe ka qenë një vit shumë pozitiv. Kemi vetëm dy kujtime të këqija në mendje: ndeshjen e kampionatit në Kukës dhe ndeshjen në Beograd kundër Partizanit. Ishte ndeshja që ndryshoi për keq sezonin në Europë, pasi me një barazim do të flisnim ndryshe.

– Po për Enis Gavazajn?

– Për mua personalisht ka qenë një vit i suksesshëm, përveç dëmtimit që pësova me Jang Bojsin. Tani ka kaluar plotësisht dhe jam mirë. Ndjehem mirë, kur e ndihmoj ekipin tim në fushë me aq sa mundem. Dua të jap maksimumin dhe për të marrë maksimumin.

– 6 muaj pa Latifin në ekip. Si ndihesh pa shokun më të mirë?

– Latifi ka lënë hapësirë në fushë, por edhe jashtë fushe për mua. Ka qenë miku më i ngushtë këtu. Jam takuar edhe tani afër me të dhe vazhdimisht më pyet për Skënderbeun. Besoj se do të ketë një karrierë të ndritur përpara.

– Po për zërat e merkatos, çfarë do të thoni?

– Besoj se do të jem lojtar i Skënderbeut të paktën edhe 6 muaj të tjera.

– Ju shqetësojnë zërat që vijnë nga jashtë?

– Mundohem t’i mënjanoj të gjitha. Jam i përqendruar vetëm te Skënderbeu. Ofertat ndikojnë pozitivisht dhe mendoj se të motivojnë që në çdo ndeshje të japësh më të mirën në fushë. Si çdo lojtar, dua të riprovohem jashtë Shqipërisë dhe them se përmes Skënderbeut do ta bëj realitet këtë dëshirë.

– Doni të thoni se në verë do të largoheni nga Skënderbeu?

– Është në të mirën time, por edhe në të mirën e klubit, nëse vjen ndonjë ofertë e mirë. Megjithatë, do të mundohem të jap maksimumin dhe të rritem në vijim.

– Ndonjë pistë konkrete?

– Më shumë ia kam lënë menaxherit në dorë të merret me çështjen e merkatos. Jam i përqendruar te Skënderbeu dhe kampionati.

– Skënderbeu pa Europën, do të jetë më i fortë?

– Sigurisht, për këtë jam i bindur, pasi nuk do të jetë më ajo ngarkesë. Do të jemi 100% të freskët dhe të përqendruar për të dhënë më të mirën tonë. Do të mundohemi të shmangim gabimet dhe ta thellojmë diferencën në renditje.

– Titulli?

– I padiskutueshëm. Këtë vit është 100% pronë e jona.

– Loja po shkon mirë, por duket se golat janë të paktë…

– E di, kjo është ajo që duhet të përmirësoj. Dua të rritem dhe të eci për lart. Jam i bindur se golat do të vijnë. Në vitin 2018 do të shikoni një Gavazaj më të mirë.

Lini nje pergjigje

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.