Jashanica: Fitojmë ne dhe shkojmë më tej

Jashanica: Fitojmë ne dhe shkojmë më tej

620
SHPËRNDAJE

Parashikimi i Jashanicës: Fiton Skënderbeu 1-0

Mbrojtësi bardhekuq flet tre ditë përpara sifdës së të enjtes duke besuar “verbërisht” që Skënderbeu me pak kujdes do ta kalojë Kairatin, por bën thirrje për shumë kujdes Skënderbeu të enjte do të përballet ndaj Kairat, skuadër që për të gjithë në Korçë është e vështirë, por jo e pakalueshme.

Në fakt, në radhët e ekipit të Skënderbeut ka optimizëm përpara një ndeshjeje të tillë kaq të vështirë dhe kjo faktikisht është gjë pozitive. Sigurisht që një pjesë e madhe thotë edhe atë që duhet të qëndrohet me “këmbë në tokë”, pasi janë edhe 90 minuta deri në fund.

Ditën e djeshme për “Sport Ekspres” ka folur mbrojtësi i qendrës së Skënderbeut, Bajram Jashanica, lojtar që zhvilloi një ndeshje të mirë edhe në Kairat dhe beson se po kaq mirë do të jetë për Skënderbeun edhe kjo përballje e kthimit në Korçë.

KAIRAT ALMATY – Në fjalët e tij të para për gazetën mbrojtësi me shumë përvojë i Skënderbeut, Bajram Jashanica, ka folur për ekipin kundërshtar duke e cilësuar një skuadër të fortë dhe thotë që e di fort mirë që edhe ndeshja e kthimit do të jetë e vështirë: “Në Kazakistan, kur luajtëm një javë më parë ishte një ndeshje e vështirë dhe këtë e dinim të gjithë, por ja dolëm. Ndërkohë që këtë herë në Korçë do të jetë edhe më e vështirë. Nuk duhet të dorëzohemi në asnjë moment në 90 minutëshin e së enjtes dhe kjo është ajo që dua të them, pasi Kairat ka individë shumë të mirë dhe ka lojtarë cilësorë që bëjnë diferencën. Padiskutim që ne si repart i mbrojtjes do të kemi shumë punë, pasi ata nuk kanë se ç’farë të humbasin dhe do të na sulmojnë nga fillimi në fund. E di që do të kemi punë në këtë përballje, por them se nëse luajmë si në Kazakistan edhe këtë do ja dalim. Me pak fjalë duhet të luajmë të bashkuar, të mbrohemi shumë mirë dhe të sulmojmë të gjithë si skuadër, sepse vetëm kështu mund ta çajmë kundërshtarin dhe ata nuk kanë se ç’farë të na bëjnë nëse ne bëjmë këtë gjë.”

PERGATITJET –  Përsa i përket përgatitjeve të këtyre ditëve, Jashanica më tej në fjalët e tij thotë: “Qysh ditën e parë që kemi mbërritur në Korçë, kemi filluar të mendojmë vetëm për këtë ndeshje kthimi dhe jemi fokusuar te stërvitjet në mënyrë që të jemi 100% gati të enjte. Të gjithë janë optimistë në skuadër se do ja dalim edhe këtë herë, por ky optimizëm është i kontrolluar, pasi nuk duhet të “fluturojmë” që gjithçka ka mbaruar pas atij barazimi dhe ta flemë mendjen. Kemi edhe dy ditë kohë deri në fund dhe do të bëjmë ç’është e mundur që ta përgatisim në mënyrën më të mirë këtë takim. Këto seanca të këtyre ditëve po kalojnë vërtet mirë, por që nuk mund të them në detaje se si po e përgatisim, pasi këto janë sekretet e ekipit përpara ndeshjes dhe asnjë skuadër nuk e bën një gjë të tillë. E rëndësishme është që ka optimizëm në të gjithë lojtarët dhe kjo është pozitive për ne,” – shton mes të tjerash Jashanica.

SHANSET –  Të gjithë në Korçë mendojnë se Skënderbeu ka shanse të mëdha që të kalojë më tej, ndërkohë që për mbrojtësin kosovar të Skënderbeut: “Jemi të avantazhuar pas atij barazimi 1-1 që arritëm në ndeshjen e parë dhe këte d imë fort mirë, madje e di edhe vetë Kairati, por asgjë nuk ka përfunduar dhe për këtë jemi të bindur. Jemi një grup futbollistësh shumë të fortë, me ego dhe që mendojmë se do ja dalim. Por, edhe Kairati e ka të vështirë dhe këtë e di edhe vetë skuadra kundërshtare. Dua të shtoj diçka që ne do të na favorizojë vërtet shumë. Nëse do të kemi mbështetje të madhe nga tifozët, jam i bindur që ne do të jemi ekipi që do të kalojmë më tej, prandaj gjej rastin nëpërmjet medias suaj që t’u bëj thirrje të gjithë korçarëve, që të enjte të jenë sa më të shumtë në stadium, pasi vetëm së bashku do të mund t’ia dalim.”

PARASHIKIMI –  Sigurisht që ashtu siç pyeten të gjithë futbollistët korçarë në këtë moment, se si e mendon fundin e kësaj ndeshjeje të kthimit, një pyetje e tillë shkon edhe për Bajram Jashanicës, që së fundi dje do të pohonte duke qeshur: “Sigurisht që është paksa e vështirë kur më kërrkohet jo vetëm mua, por të gjithëve që të bëj një parashikim të saktë, por po u’a them pa ndrojtje. Fitojmë ne 1-0 dhe shkojmë më tej. Sa për atë që të mendojmë për raundin e tretë qysh tani, nuk e shkojmë në mendje dhe nuk jemi menduar asnjë kundërshtar të mëtejshëm përveç Kairatit.”

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU