Shehi: Fitore me vlera ndaj një rivali

Pasi e nisi karrierën si trajner me një trofe, duke fituar Superkupën e Shqipërisë ndaj Laçit, Orges Shehi debutoi me fitore edhe në Kategorinë Superiore.

Skënderbeu i tij arriti të fitojë në “frymën e fundit” ndaj Partizanit, falë një penalltie të fituar nga Bregu dhe të dërguar në rrjetë nga Muzaka.

Në përfundim të takimit, Orges Shehi foli për emisionin “Gol pas Goli”, në SuperSport, duke treguar emocionet e debutimit dhe situatën në kampin korçar.

Urime për startin e suksesshëm si trajner…

Sigurisht që është një fitore me vlera, pasi luanim ndaj një kundërshtari direkt dhe triumfi mori vlera të dyfishta. Natyrisht që kishim vështirësi, pasi nuk kemi arritur maksimumin e përgatitjeve fizike, por sërish dua të komplimentoj skuadrën që tregoi vendosmëri dhe dëshirë për të fituar.

Ku mendoni se e dominuat Partizanin?

E kishim studiuar Partizanin dhe ishim të përgatitur për mënyrat e tij të lojës dhe kishim marrë masat për t’u kundërpërgjigjur në kohë dhe në mënyrën e duhur.

Deri në ndalesën e ndeshjes, dominuat absolutisht ndeshjen. Sa i kënaqur je me stolin e rezervave?

Është e drejtë që deri para incidentit, kishim një ritëm mjaft të mirë dhe këmbëngulëm që të ruajmë të njëjtin ritëm dhe skuadra deri diku u përgjigj. Sa i përket alternativave, ka pasur edhe oshilacione sa i përket federimit, me dy lojtarë që janë federuar vetëm sot. Shpresoj që të na vijë edhe ndonjë përforcim, aty ku realisht kemi nevojë.

Edhe ndaj Laçit, edhe sot, u pa se jeni të varur nga improvizimet e Bregut. mos ndoshta mesfusha duket pak larg sulmuesit kryesor dhe ndërtimit të aksioneve?

E kam thënë edhe më herët se disa lojtarë tanët nuk kanë ende minutat e duhura në këmbë. Kanë kohë pa u aktivizuar dhe me kalimin e javëve, do të marrin më shumë përsipër dhe do të fitojnë më tepër besim. Pres që të rriten gradualisht, edhe me mbështetjen dhe besimin që u kam dhënë.

Si ndjeheshe sot? Më shumë ish kapiten, apo trajner?

Nuk ka qenë shumë e lehtë, pasi deri para një muaji kam qenë në fushë, por lojtarët e dinë mjaft mirë se në fushë nuk jemi shokë. Ata më kanë ndihmuar shumë, me profesionalizimin e treguar në fushën e lojës dhe në ambientet e stërvitjes, për ta lënë miqësinë jashtë punës.

Më mirë me kravatë, apo me doreza?

Dorezat u harruan, pasi m’i kanë marrë. Shpresoj të na ecë mbarë edhe kravatën tashmë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.