Orges Shehi: Futbolli është i tillë

Ndalesa e parë e Skënderbeut në këtë sezon erdhi në shtëpi, por larg syve të publikut korçar, me stadiumin që ishte me dyer të mbyllura. Në ndeshjen me Laçin, një rival përherë të vështirë, të cilin bardhekuqtë e kishin mposhtur vetëm pak javë më parë në finale e Superkupës. Gjithçka në këtë takim nuk shkoi ashtu si duhej, nga disavantazhi, te kartoni i kuq i Abazit dhe mbyllja e ndeshjes me nëntë lojtarë, pas dëmtimit të Demte. Sipas trajnerit Orges Shehi, Skënderbeu provoi deri në fund të fitonte, me drejtuesin e stolit që komentoi detyrimin për të punuar me ekipin në situatën delikate të krijuar, por edhe me sytë nga merkato, ku pret përforcimet deri në orët e fundit.

BARAZIMI – “Ne prodhuam shumë, si në pjesën e parë edhe në të dytën, tentuam ta fitonim ndeshjen, por dalja e Abazit me të kuq, na bëri të ndryshonim prapë lojën tonë. I tillë është futbolli, nuk arritëm të konkludonim dhe duhet ta pranojmë rezultatin”.

GOLI – “Pësimi i golit ishte i evitueshëm, por kjo ndodh. Pas pjesës së parë nisëm të reagonim. Ndoshta kjo ishte nga dëshira, që si Demte dhe Muzaka shkonin njëkohësisht në sulm”

KARTONI – “Rastin e kartonit të Abazit nuk e kam parë, por ndoshta kjo erdhi nga dëshira për të fituar, për ta udhëhequr skuadrën. Edhe kur mbetëm me një lojtar më pak, përsëri kërkuam ta fitonim ndeshjen. Nuk dëshiroj të merrem me arbitrin. Nuk jam marrë kur isha lojtar dhe nuk do ta bëj as tani që jam trajner. Janë tre persona, që vendosin drejtësi”.

SKUADRA – “U bëra trajner në një situatë jo normale, në një situatë emergjente. Përgjegjësinë e mora si detyrim dhe ndoshta e nisa karrierën pak si shpejt përsa i takon eksperiencës. Por, kisha eksperiencë të madhe si lojtar dhe ishte detyrë për mua ta merrja këtë përgjegjësi. Merkato? Presim dy mesfushorë, nuk e di nëse në orët e mbetura kontingjenti do të plotësohet. Pavarësisht pikëve në renditje, kemi provuar të marrim lojtarë të së ardhmes, për ti evidentuar, por edhe të ruajmë elementët me eksperiencë, që i shërbejnë ekipit. Jemi një ekip I ri, na mbetet të punojmë. Është e sigurt që skuadra ka nevojë për lojtarë, mbi të gjitha në mesfushë. Shpresojmë që në orët e mbetura të kemi ndonjë përforcim”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.