Skënderbeu e nis si kampion, Shehi debuton me fitore

Skënderbeu konfirmohet si kampionia në fuqi e Superiores dhe e nis sezonin e ri me një fitore ndaj rivalëve të drejtpërdrejtë në garën për të mbrojtur titullin.

Në Korçë skuadra e Shehit mposhti 1-0 Partizanin falë një penalltie të fituar nga ylli i ri i ekipit Dejvi Bregu dhe të realizuar me mjeshtëri nga një ekspert si Gjergji Muzaka. Një gol në frymën e fundit pasi erdhi vetëm në minutën e parë shtesë në një ndeshje të kujdesshme dhe të luajtur me frikë nga të dyja skuadrat.

Debutim me fitore në kampionat për ish portierin legjendar të Skënderbeut në rolin e trajnerit Orges Shehi që pas fitores në Superkupë mori një tjetër rezultat të rëndësishëm. Gjithsesi kjo sfidë më shumë sesa për fitoren e bardhekuqëve do të mbahet mend dhe për dhunën e shkaktuar nga dy tifozeritë në gjysmën e pjesës së dytë që solli edhe ndërprerjen e ndeshjes për disa minuta, megjithatë situata u përmirësua shumë shpejt dhe ndeshja rifilloi.

Në pjesën e parë rastin më të mirë e kishin vendasit me Gjergji Muzakën që u ndal nga Alban Hoxha. Në fraksionin e dytë Partizani ishte disi më kërkues me Telushin që vuri në provë Teqjan ndërsa Mala i vetëm përballë portierit të korçarëve gaboi në shënjestër.

Por atëherë kur gjithçka po i drejtohet fundit, Dejvi Bregu i shpëtoi mbulimit të mbrojtësve të Partizanit me Alban Hoxhën që e frenoi me faull. Gjyqtari Eldorjan Hamiti nuk kishte asnjë dyshim duke akorduar 11-metërsh për vendasit, penallti të cilën Muzaka e goditi në mënyrë perfekte duke e çuar topin në trekëndësh për 3 pikët e para të Skënderbeut në këtë sezon të ri.

Lini nje pergjigje

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.