Daja: Skënderbeu ka objektiv vetëm fitoren

Në prag të ndeshjes ndaj Partizanit, trajneri bardhekuq Ilir Daja ka folur për mediat ku ka analizuar gjëndjen e ekipit si dhe ka shpallur objektivat.

Për teknikun bardhekuq, tashmë nuk është risi, Skënderbeu shkon në çdo ndeshje me objektivin e vetëm, fitoren.

Daja, sot kundër partizanit, sa i vështirë ky takim?

Është normalisht një ndeshje e vështirë pasi përballë një ekipi si Partizani gjithmonë duhet të jesh i përqëndruar. Të kuqtë e kanë nisur sezonin si favoritë dhe besoj se do të bëjnë të pamundurën për t’u rikthyer sërish kështu. Ne duhet të jemi të përqëndruar dhe të japim maksimumin tonë në këtë ndeshje nga minuta e parë deri në minutën e fundit për të mos i dhënë mundësi kundërshtarit të na verë në vështirësi dhe të na gjejë në befasi.

Si vjen ekipi në këtë ndeshje?

Për fat të keq humbëm edhe Vangjelin i cili ka një problem ngarkese në kofshë dhe mund të them se jemi me dy mungesa të sigurta në këtë takim. Pra Vangjelit i shtohet edhe nespor i cili ndodhet jashtë ekipit për shkak dëmtimi. Kjo është pak a shumë situata e Skënderbeut në këtë takim. pjesa tjetër e ekipit është e plotë.

Kukësi fitoi të shtunën. Kjo do të thotë se presioni është mbi ju tani?

Nuk e shoh punë presioni për vetë faktin se ne kemi ndeshjen tonë për të luajtur dhe mendojmë vetëm për këtë. Kukësi bëri punën e vet dhe ne nga krahu tjetër do të bëjmë punën tonë për të qënë gjithnjë pararojë e rezultateve tona. Me një diferencë prej shtatë pikësh që nuk janë shumë por janë të mjaftueshme për të qënë më të qetë në llogjikën e ngjarjeve nuk besoj se problem do të jetë presioni i ndjekësve.

Skënderbeu nuk fiton prej vitesh në Tiranë. Do të ndikojë tek lojtarët?

Statistikat janë statistika dhe nuk besoj se do të kenë një ndikim tek lojtarët për vetë faktin se ne shohim atë që prodhohet në fushën e lojës dhe jo jashtë saj. Skënderbeu mori një fitore 2-0 në fazën e parë dhe duke dominuar me lojë gjithë takimin. Jam i bindur se ekipi do të riniset që nga ky takim dhe jo nga statistikat e largëta.

Shkoni vetëm për fitore në Tiranë apo iu kënaq dhe barazimi?

Skënderbeu kudo ku shkon objektiv ka fitoren dhe kjo nuk është risi. Besoj se presidenti Takaj dhe drejtuesit e tjerë e kanë ndërtuar këtë ekip për të qënë kudo protagonist dhe për të marrë gjithnjë maksimumin. Prandaj e them që fitorja do të ishte rezultati që kërkojmë ne. Më pas se çfarë do të sjellë fusha është tjetër gjë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.