Osmani: ‘Askush si Skënderbeu’

Mbrojtësi bardhekuq, Tefik Osmani në një prononcim për ‘Panorama Sport’ është shprehur i lumtur me kualifikimin në finale si dhe për faktin që ekipi ka mbyllur ‘gojët e liga’ që aluduan për një marrëveshje të mundshme.

Ndër të tjera, Osmani u shpreh se ky është ekipi më i mirë në historinë e futbollit Shqiptar.

Osmani, një fitore bindëse në Vlorë ju çon në finale. I kënaqur për këtë arritje?

Sigurisht që po, i kënaqur për lojën dhe shpirtin e treguar nga ekipi dhe për arritjen në finale. Por mbi të gjitha jam i kënaqur që Skënderbeu u dha edhe një herë përgjigje që të gjithëve atyre që nuk pritën po menjëherë hodhën baltë mbi këtë ekip pas ndeshjes së parë në Korçë. U them të gjithëve se futbolli prandaj është i bukur pasi ka të papritura dhe nuk dihet asnjëherë rezultati i një takimi.

Pra me pak fjalë mbyllët gojët e gjithë skeptikëve?

Sigurisht dhe e them me bindje se jam shumë i lumtur për këtë. Na kanë akuzuar shumë dhe nuk kanë pritur por menjëherë pas çdo takimi që ne humbim apo nuk e fitojmë hedhin vazhdimisht baltë duke mos pasur aspak respekt për djersën tonë në fushë. Skënderbeu është mësuar që të japë gjithnjë përgjigjen nga fusha dhe ne e dhamë. Tani edhe unë bashkohem me trajnerin Daja. Ai që është burrë del dhe kërkon falje publike ashtu siç i ka bërë ato akuza.

Të flasim për fushën. Ishte pikërisht kjo që kishit menduar ajo lojë që bëtë në Vlorë?

Mund të them se bëmë zgjedhjen e duhur. Në pjesën e parë të dy ekipit kishin kujdes maksimal që të mos pësonin prandaj lindi ajo loje e kujdesshme. Në të dytën ne kërkonim me çdo kusht golin dhe e gjetëm. Ajo na bëri që më pas të kishim sigurinë e lojës dhe arritëm që të shënonim sërish. Ishte një fitore që më shumë se kurdo e nevojshme pasi na won në finale të kupës.

Tashmë në finale përballë Laçit, mund të themi se është viti i duhur që Skënderbeu të fitojë këtë trofe?

Duke parë faktin që ne e duam pasi nuk e kemi fituar asnjëherë kupën e Shqipërisë dhe elementët që kemi në përbërje mund të them se do të bëjmë çmos që ta fitojmë. Të them të drejtën jemi në rrugën e duhur pasi në kampionat kemi krijuar shkëputje dhe pse nuk e kemi mbyllur matematikisht. Do të synojmë që të fitojmë gjithçka këtë vit.

Do të ishte mbyllja më e mirë e këtij sezoni?

Besoj se po kjo edhe për shkak të rrugëtimit të mirë që kemi bërë deri tani. Kemi nisur shpejt sezonin por jemi krenarë për çfarë kemi arritur. Kemi kaluar si askush tjetër katër ture në Europë duke bërë një hap historik. Ato dy trofe janë në listën e objektivave dhe duam ti marrim.

Në kampionat përballë Partizanit dhe më pas Kukësit. Do të ishte hakmarrje e ëmbël të fitosh titullin me Kukësin?

Jo ne nuk e mendojmë atë, ne nuk duam hakmarrje. Kërkojmë vetëm që të mbyllim sa më parë kampionatin me qëllim që të jemi më të qetë. Sigurisht kjo do të ishte edhe një plus për ne titullarët për të pasur më shumë ditë pushimi pasi kemi bërë një kampionat të gjatë dhe të lodhshëm. Nga ana tjetër mund të them se edhe të rinjve u takon që të kenë disa minuta në këmbë në fund të këtij sezoni.

A mund të themi se ky është ekipi më i mirë i historisë?

Kjo nuk ka më asnjë dyshim, sepse duket nga të gjitha këto që kemi arritur. E përsëris si askush tjetër jemi ekipi i vetëm që kemi kaluar katër ture eleminatore për të qënë në Europë. Jemi ekipi i vetëm që kemi dy pjesëmarrje në Europë. Do të duhen më shumë se 20 vite që dikush të përsërisë këtë që ne kemi bërë. Për të gjitha këto sa thashë më lart padyshim që jemi më të mirët. Jemi Skënderbeu dhe asnjë ekip Shqiptar nuk bëhet dot si Skënderbeu për të arritur të tilla nivele.

Lini nje pergjigje

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.