Shehi: Të mbajmë ritmin

Tekniku bardhekuq, Orges Shehi ka folur në prag të ndeshjes në transfertë ndaj Tiranës duke këkuar nga ekipi të mbajë ritmin e ndeshjeve të fundit deri në përfundim të sezonit…

Shehi, ndeshja kundër Tiranës është tek dera. Sa të vështirë e keni këtë takim?

Në javët e fundit të një kampionati kur ende nuk e ke arritur objektivin ndeshjet gjithmonë janë delikate dhe të vështira. Jemi në një pikë të sezonit ku gabimet janë të ndaluara dhe prandaj mund të them se nuk duhet të gabojmë. Mbeten edhe shumë pak pikë në lojë dhe për këtë duhet që të vijojmë pa menduar se çndodh më pas por të përqëndrohemi në ndeshjen e radhës.

Çfarë pret ndaj Tiranës?

Pres që ekipi të tregojë të njëjtën dëshirë për fitore. Të mbajë të njëtin ritëm siç kemi bërë në ndeshjet e fundit. Unë ua kam thënë edhe lojtarëve se pas ndeshjes me Kastriotin kemi treguar ritëm të mirë pavarësisht se nuk arritëm dot të mernim rezultat në Laç. Loja ka qënë e kënaqshme dhe me mjaft intensitet për ne. Dua nga ekipi që të tregojë të njëjtin përqëndrim si ndaj Flamurtarit deri në fund të sezonit.

Dy mungesa të rëndësishme janë të sigurta. Sa e vështirëson takimin ky fakt?

Janë mungesa siç e thatë edhe ju shumë të rëndësishme për ne. Jemi në një kohë kur duam të kemi të gjithë të gatshëm por kampionati i ka këto ndalesa për lojtarët. Si Radas ashtu edhe Dita janë dy lojtarë kyç për këtë ekip dhe kanë qënë gjithnjë shtylla e Skënderbeut apo pjesë e boshtit të ekipit. Mungesat të tilla janë, dhe nuk na mbetet gjë tjetër veçse të shpresojmë se ata që do të hyjnë në fushë si zëvendësues të tyre të bëjnë më së miri punën që u kërkohet.

A mendoni të lini ndonjë titullar pushim, si përshembull Muzaka dhe Taipi?

Në këtë moment nuk kemi vendosur asgjë përsa i përket formacionit. Jemi të përqëndruar tek ndeshja dhe duam të hedhim në fushë ekipin me gjendjen më të mirë të mundëshme. Taipi dhe Muzaka kanë pasur probleme javët e fundit dhe do të shohim se deri ku do të jetë gjendja e tyre. Më pas do të vendosim për ta.

Ky takim pa tifozë është në favorin tuaj?

Të them të drejtën është ndeshja e tretë nga katër takime me Tiranën që po i luajmë pa tifozë. Të luash pa tifozë asnjëherë nuk është e mirë. Bëhet ndeshje e mërzitëshme. Në këtë rast jo vetëm që humbasin të dy ekipet por mbi të gjitha humbet futbolli.

A e mendoni të arritshëm Europën nga Kampionati?

Sigurisht që po. Janë edhe pesë javë deri në fund dhe ne kemi për të luajtur katër takime. Duhet të bëjmë mirë ndeshje pas ndeshjeje kjo është më e rëndësishme. Jemi dy pikë larg vendit të tretë dhe gjithçka është e mundur.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.